Nënkryetari i Vushtrrisë e mohon se ka konflikt pronësor me personat që e sulmuan rojën e komunës

Aktuale

Nënkryetari i Vushtrrisë e mohon se ka konflikt pronësor me personat që e sulmuan rojën e komunës

Më: 18 maj 2023 Në ora: 18:28
Shpëtim Zhegrova

Gazeta raportoi sot për një incident që ka ndodhur të mërkurën në Vushtrri, ku një person është sulmuar me thikë nga dy persona dhe motiv dyshohet të jetë një mosmarrëveshje për pronë.

Dy të dyshuarit vëllezërit Gërbeshi, sipas informacioneve të para, kanë konflikt pronësor me nënkryetarin e komunës, Shpëtim Zhegrova.

Në shenjë “hakmarrjeje”, ata dyshohet se e kanë sulmuar rojën që nuk i lejoi të shkojnë në zyrën e Zhegrovës.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar vet Zhegrova, i cili në një prononcim për Sinjalin ka deklaruar se nuk ka asnjë problem me personat në fjalë lidhur me ndonjë pronë.

“Unë asnjë problem, ma të voglin nuk e kom për asnjë pronë. Nuk kom problem me kërkon, as për pronë as për kurrgjë tjetër hiç.“, tha Zhegrova.

Kur është pyetur se a i njeh personat e arrestuar në këtë rast, Zhegrova fillimisht nuk e pohoi e as nuk e mohoi se ka njohuri se kush janë të dyshuarit, e më pas tha që nuk i njeh.

“A i njoh a nuk i njoh ata është çështje tjetër…”, teksa më pas tha “Jo more, as nuk pe di kush është i dyshuar”.

Viktima, Sami Bajrami, i cili është roje i kryetarit Ferit Idrizi dhe nënkryetarit të komunës, Shpëtim Zhegrova, e ka pësuar nga vëllezërit Gërbeshi, të cilët ia zunë pritën pasi nuk u lejuan të shkojnë në zyrën e Idrizit dhe Zhegrovës.

Në pamundësi për t’u takuar me Zhegrovën, vëllezërit Gërbeshi ia kanë sulmuar rojën e tij, të cilin e kanë therur me thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Posa rasti është denoncuar në Polici, të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes, kurse viktima është dërguar për trajtim mjekësor.  

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Mitrovicës.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se e kanë sulmuar fizikisht me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor e më pas është liruar. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat