MASHTI i dërgon së shpejti emrat për Këshillin Shtetëror të Cilësisë

Aktuale

MASHTI i dërgon së shpejti emrat për Këshillin Shtetëror të Cilësisë

Më: 16 maj 2023 Në ora: 13:13
MASHT

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

Megjithatë, ky numër ende nuk është i kompletuar, kjo pasi, nga KSHC kohë më parë kishin dhënë dorëheqje tre anëtarët ndërkombëtarë, pasi refuzuan të deklaronin pasurinë sipas ligjeve të Kosovës.

E për të parë se ku ka shkuar procedura për plotësimin e anëtarëve të rinj për KShC, Syri.net Kosova ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, të cilët duke mos dhënë shumë detaje, kanë deklaruar se ky proces është në përgaditje e sipër në mënyrë qe sa më shpejt dokumentacioni të procedohet në qeveri.

“Janë shqyrtuar të gjitha aplikacionet dhe është në përgatitje e sipër dokumentacioni për ta proceduar në Qeveri”, ka qenë përgjigjia e MASHTI-it, pa dhënë emra.

Ndërsa, anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Përbërja aktuale e KShC-së është si vijon:

Prof. Asoc. Dr. Hasnije Ilazi, Kryetare;

Dr. Klemen Miklavic; Nënkryetar;

Prof. Asoc. Dr. Rozafa Koliqi, anëtare;

Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Zeka; anëtar;

Prof. Ass. Dr. Gëzim Tosuni, anëtar;

Prof. Asoc.Dr. Maja Martinović, anëtare;

Sipas detyrës, Drejtori i AKA-së, Naim Gashi.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë është një organizatë që ka për qëllim të promovojë dhe të përmirësojë cilësinë në të gjitha fushat e jetës, duke përfshirë edhe fushën e arsimit. Rëndësia e një Këshilli Shtetëror të Cilësisë është e shumëfishtë dhe e ndjeshme, dhe më poshtë gjeni të identifikuara detyrat e këtij këshilli.

*KShC përcakton objektivat kryesore dhe afatet kohore të procesit të vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë (IAL).

*KShC miraton standardet, procedurat, kriteret e vlerësimit të jashtëm të IAL-ve.

*KShC harton dhe miraton Statutin e AKA-së, rregulloret dhe dokumente tjera të nevojshme për funksionimin e AKA-së.

*Me propozimin e drejtorit të AKA-së, KShC miraton listën e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit, të cilët do të angazhohen në procesin e vlerësimit të IAL-ve për vitin akademik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat