​Latifi: Në luftimet e 12 majit, historia u shkrua me gjakun e Milaim Krasniqit dhe Elmi Morinës

Aktuale

​Latifi: Në luftimet e 12 majit, historia u shkrua me gjakun e Milaim Krasniqit dhe Elmi Morinës

Më: 12 maj 2023 Në ora: 17:25
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot, në 25 vjetorin e betejës së 12 majit në Anadrini, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se kujtojnë me krenari rezistencën dhe gjakun e dy dëshmorëve, Milaim Krasniqi dhe Elmi Morina, të rënë në Ratkoc. Në shënimin e përvjetorit të kësaj beteje, dëshmitarë e ish-luftëtarë kanë kujtuar 12 orët e luftimeve me armikun, duke thënë se kjo ditë është historike.

Në luftimet e 12 majit, Latifi ka theksuar se historia është shkruar me gjakun e Milaim Krasniqit dhe Elmi Morinës.

Në shkollën "12 maji" në Ratkoc, ai ka shtuar se përkundër përpjekjeve të armikut, anadrinasit janë bërë pjesë e rezistencës.

Latifi: Rezistenca e kësaj treve ishte frymëzuese edhe për të rinjtë

"Rezistenca e kësaj treve ishte frymëzuese edhe për të rinjtë, që ecën në hap me atdhetarët që po vuanin nëpër burgje, duke çuar deri edhe në bojkotimin e mësimit prej nxënësve te mitur që shprehën solidarizimin e tyre në demonstrat e vitit 1981, pikërisht në shkollën e mesme në Ratkoc edhe pse ky veprim pati pasoja për këta nxënës. Angazhimi i atdhetarëve u zgjerua edhe më shumë. Banorët e kësaj treve u bënë një në demonstatat e viteve 1988-1989, 1990, po ashtu krah i fortë për minatorët", ka thënë Latifi.

Tutje, Latifi ka përmendur edhe veprimet e organizuara për bazën e armatimeve në trevat e Anadrinit. Në shënimin e përvjetorit të betejës së 12 majit, ai ka thënë se zhvillimet në këto pjesë kanë treguar se lufta për liri ka qenë e pashmangshme.

Latifi: Luftimet zgjatën deri në orët e pasdites

"Me 10 maj, u zotuam së bashku me Sabit Gashin dhe gjithë bashkëveprimtarët tanë dhë Fehmi Lladovcin për bashkim forcash çlirimtare në shkallë zone. Me 11 maj të vitit 1998, në Aqarevë të Drenicës, në marrëveshjen e madhe për bashkim forcash. Forcat serbe kishin skenarë për ta zhbërë UÇK-në në Drenoc, ato me 11 maj nisën një mësyerje të pasuksesshme. U zbrapsën, por një pjesë e tyre u stacionuan. Për ta bërë punën e tyre, të nesërmen, me 12 maj, ku kishin thirrur në ndihmë forca të reja të milicisë. Shokët tanë përveç se po vëzhgonin ishin në gjendje për t'ua prishur skenarin djallëzor të tyre. Në hyrje të Ratkocit, afër vullkanizerit sulmuan policinë dhe beteja kishte filluar tashmë dhe shokët tanë të organizuar po bënin detyrën. Atë ditë u bënë shumë më shumë, plot të tjerë nxorrën armët për të shkrepur kundër të huajit. Barrikadat brenda fshatit e në dalje të Malësisë, krismat e pushkave tona i ç'orientuan milicët serbë, të cilët për t’u hakmarrë gjuajtën me armë edhe nxënësit filloristë. Të gjithë shokët e organizuar besonin se armikun mund ta mundim vetëm duke luftuar. Luftimet zgjatën deri në orët e vona të pasdites. Në luftimet e 12 majit, historia u shkua me gjakun e Milaim Krasniqit dhe Elmi Morinës", ka shtuar Latifi.

Më tej, i pari i Rahovecit ka thënë se atë ditë, me dhjetëra qytetarë janë torturuar.

Ndërsa, në emër të tri shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari është shprehur se lufta e UÇK-së po atakohet edhe sot duke u gjykuar në Hagë, ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Jashari: Këtë liri e bënë bijtë dhe bijat më të mirë

"Në këtë datë të dëshmorëve, i kujtojmë gjithë ata që e patën guximin, bijtë dhe bijat që i rrokën armët, i dolën zot vendit, ranë dëshmorë dhe sot janë dëshmorë të kombit. Doemos kur kujtojmë këto ngjarje, na vjen në mendje Kosova e paraluftës, të UÇK-së, ishim të robëruar, poshtëruar, politika e asaj kohe ishte e gjunjëzuar dhe e nënshtruar deri në përulje. Ishin të burgusorit që e mbanin gjallë idealin e pashuar të lirisë. Po e përmend Adem Demaqin, i cili kërkonte që të ishim aktiv. Këtë liri e bën bijtë dhe bijat më të mirë të atdheut, pjesëtarët e UÇK-së", ka thënë ai.

Ditë historike e ka konsideruar 12 majin e vitit 1998, dëshmitari i kësaj beteje, Isuf Gashi.

Gashi: Është datë historike, e paparashikuar

"Është datë historike, e pa parashikuar që mundet një ushtri guerile me qëndrua 12 orë në luftë dhe me marrë stacionin famëkeq policor. Sa i përket kontakteve me Smajl Latifin, kanë qenë të hershme. Kam qenë në burg me të. Me 12 maj është lufta e parë që jemi ballafaquar dhe që na ka ra dëshmor Milaim Krasniqi dhe Elmi Morina", ka thënë ai.

Ish-luftëtari, Shani Hoti ka thënë se ditën e 12 majit, nuk kanë qenë rastësisht në Ratkoc.

Hoti: Kur krisën pushkat e para, gjetëm njerëz shumë të përgatitur

"Të gjithë luftëtarët që ishin të njoftuar, kur krisën pushkat e para dolën njerëzit e Ratkocit, që nuk e di se ku i kishin mbajtur armët. Gjetëm shumë njerëz të përgatitur. Gjatë luftimeve u bashkua edhe baca Ragip", është shprehur ai.

12 maji shënohet si Dita e Dëshmorëve në Komunën e Rahovecit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat