AGK kërkon që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmerren hetime profesionale

Aktuale

AGK kërkon që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmerren hetime profesionale

Më: 3 maj 2023 Në ora: 13:22
Foto nga vendngjarja

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit shprehu sot shqetësimet për sigurinë dhe shkeljen e të drejtave të gazetarëve, si dhe nevojën për respektimin e mediave të lira, e të pavarura.

AGK e quajti ditën e sotme si më të rëndësishmen për gazetarët. Ndërkaq, përmes një shkrese, bëri kërkesë për prokurorët dhe gjyqtarët që të trajtojnë me seriozitet më të madh mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna që vie nga puna e tyre.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha u shpreh se vit pas viti po shtohen sulmet ndaj gazetarëve.

Rexha: Deri në momentin që po flasim janë shënuar 11 raste sulmesh

"Përmes kësaj shkrese, na lejoni të shprehim shqetësimet tona në lidhje me trajtimin rasteve të dhunës kundër gazetarëve duke kërkuar nga ana e juaj si pjesa kryesore sistemit të drejtësisë, të trajtoni me seriozitet më të madh mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna, e cila vie si rezultat i ushtrimit të aktivitetit të tyre si raportues të çështjeve, të cilat përbëjnë interes publik. Në pesë vitet e fundit, AGK ka regjistruar 120 raste kërcënimesh, ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Gjithsej 17 raste janë regjistruar në vitin 2018, 21 raste vitin 2019, 24 raste në vitin 2020, 29 raste në vitin 2021 dhe 33 raste gjatë vitit 2022. Vetëm këtë vit deri në momentin që po flasim janë shënuar 11 raste sulmesh, me më të rëndin atë fizik kundër gazetarit Valon Syla. Kështu, numri i rasteve të kërcënimeve, sulmeve e ngacmimeve ndaj gazetarëve është rritur vit pas viti", tha Rexha.

Ai u shpreh se sulmet ndaj gazetarëve, përveç që paraqesin vepra penale kundër jetës, ato cenojnë edhe një prej lirive bazë në një shoqëri demokratike, që është liria e shprehjes.

Rexha: Kërkojmë nga prokurorët që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmarrin hetime profesionale dhe të pavarura

"AGK e vlerëson lartë miratimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, në të cilin parashihet që rastet e gazetarëve të trajtohen brenda një afati të shkurtër kohor ashtu siç e vlerëson edhe caktimin e koordinatorëve për rastet e dhunës kundër gazetarëve nga ana e prokurorëve. Përkundër këtyre zhvilimeve pozitive, shqetësimet tona kryesore mbesin kualifikimi i gabuar i veprave penale nga ana e prokurorëve ndaj sulmuesëve të gazetarëve, kryesisht përzgjedhur vepra më të lehta penale dhe zvarritja e rasteve në gjykata dhe dër jashtëzakonisht të ulëta ndaj sulmuesëve të gazetarëve të shqiptuara nga gjykatësit. Ne kërkojmë nga prokurorët që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmarrin hetime profesionale dhe të pavarura dhe akuzat ndaj sulmuesëve të gazetarëve t'i përpilojnë", tha mes tjerash Rexha.

Ai kërkoi që rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të trjatohen me prioritet të lartë dhe sulmuesit të marrin dënime që reflektojnë rrezikshmërinë që iu kanoset gazetarëve e jo të shqiptohen dënime të lehta.

I pyetur për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë në raport me gazetarët, ai tha se bashkëpunimi me institucionet e sigurisë është më i mirë, më i drejtpërdrejtë, sidomos me Policinë e Kosovës në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, duke shtuar se ajo që kërkon me shumë angazhim është pikërisht sistemi i drejtësisë.

Rexha mes tjerash tha se jo vetëm reagimi i ndërkombëtarëve ndaj sulmit të gazetarit, Valon Syla, por edhe reagimi i AGK-së, i gjithë shoqërisë në Kosovë ka ndikuar që të ndryshojë vepra penale për rastin e gazetarit Valon Syla.

Sa i përket pyetjeve që dërgohen në Agjencinë për Informim, ankesa nga gazetarët, Rexha tha se Agjencia e kryen punën e saj, porse problemi është tek institucionet që i vonojnë përgjigjet qëllimshëm, siç tha ai, për të humbur interesin e temës që trajton gazetari.

Rexha: Inkuarojmë gazetarët që t'i drejtohen agjencisë, e cila bënë punë të mirë t'i trajtuar rastet

"Agjencia i trajton lëndët që i dërgojnë gazetarët, problemi është tek institucionet që i vonojnë përgjigjjet, duke u nisur nga qeveria dhe institucionet tjera. Konsiderojmë se një pjesë e tyre bëhet me qëllim në mënyrë që të humbet edhe relevanca e lajmit që trajtojnë gazetarët. Inkuarojmë gazetarët që t'i drejtohen agjencisë, e cila bënë punë të mirë t'i trajtuar rastet. Kemi parë disa dënime që ka shqiptuar agjencia ndaj institucioneve, janë dënimi është që në fund paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës dhe kjo nuk do duhej të ishte praktika", tha Rexha.

AGK u shpreh e gatshme të ndihmojë për çdolloj bashkëpunimi që ka për qëllim sigurinë e qytetarëve.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një ditë reflektimi për gazetarët dhe aktorët e tjerë mediatikë mbi sfidat e tyre për të garantuar lirinë e shtypit, por edhe për të siguruar një gazetari etike dhe profesionale. Po aq me rëndësi, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një ditë për të treguar përkrahjen për mediat, të cilat janë objekt i kufizimeve, apo eliminimit, në përpjekjet e tyre për të arritur lirinë e shtypit.

3 Maji gjithashtu është një ditë mirënjohjeje për gazetarët, të cilët kanë qenë të kërcënuar, të sulmuar dhe për ata të cilët kanë humbur jetën e tyre duke ndjekur një lajm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat