Vuçiq ankohet nga avioni: Perëndimi është kundër Serbisë

Aktuale

Vuçiq ankohet nga avioni: Perëndimi është kundër Serbisë

Më: 2 maj 2023 Në ora: 17:44
Aleksandar Vuçiq

Derisa në orën 18:00 në Bruksel, me ndërmjetësimin e emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak, ky proces do të vazhdojë me takimin  e sotëm të nivelit  të lartë, Kosovë-Serbi, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritjet e Beogradit zyrtar duken të mos jenë të mëdha.

Korrespondentja e RTK-së nga Beogradi, Anamari Repiq, në lidhje të drejtpërdrejtë nga Beogradi, në emisionin “Info Plus”, deklaroi se ka pasur  reagime, pritje e vlerësime të ndryshme për këtë takim.

“Beogradi zyrtar nuk ka pritje të mëdha nga takimi, përveç që ka kërkesa për Asociacionin dhe kritikat ndaj Kurtit”, tha Repiq.

Ajo shtoi se Serbia kërkon përparim në lidhje me Asociacionin, si obligim i rënë dakord në marrëveshjen e Brukselit.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në një video të postuar në instagram, derisa ishte në avion drejt Brukselit,  se ky takim do të jetë i vështirë sepse sipas tij, perëndimi është kundër Serbisë.

Megjithatë, sipas Vuçiqit, ai është sonte në Bruksel që të diskutojë për Asociacionin.

E në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka folur në prag takimit të 2 majit në Bruksel mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.

Ajo ka thënë se nuk ka pritshmëri nga ky takim sepse nuk sheh qëllimin e Kosovës për të zbatuar atë që është arritur dhjetë vjet më parë.

Sipas saj, Kosova qëllimisht po shkel marrëveshjen e  Brukselit.

Në fakt, ajo që dihet është se Beogradi zyrtar ka deklaruar se nuk do të zbatojë asgjë nga marrëveshja e Ohrit, pa filluar të zbatohet marrëveshja për Asociacionin.

Madje, kushti për kthimin serbëve në institucione është krijimi i Asociacionit me kompetencat e arritura në marrëveshjen e Brukselit.

Në anën tjetër, Vladimir Orliq, kryetar i Kuvendit të Serbisë ka thënë se nuk pret asgjë nga ky takim,  por sipas tij, ajo që Beogradi do të insistojë është formimi i Asociacionit.

Ndërkohë, Repiq, raporton se analistët deklarojnë se ky dialog po ndodh pas rritjes së tensioneve Kosovë-Serbi, për shkak të zgjedhjeve në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga serbët atje.

Sipas saj, analistët presin që ky takim sotshëm të jetë i rëndësishëm, por prapë nuk ka shumë optimizëm.

Analistët e atjeshëm megjithatë deklarojnë se është me rëndësi që procesi  i dialogut do të vazhdojë, e ku do të diskutohet një temë që është e rëndësishme për Beogradin zyrtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat