YIHR KS kritikon insitucionet për mungesë të shenjës zyrtare te memoriali i personave të zhdukur me dhunë

Aktuale

YIHR KS kritikon insitucionet për mungesë të shenjës zyrtare te memoriali i personave të zhdukur me dhunë

Më: 27 prill 2023 Në ora: 19:44
Foto ilustrim

Nisma rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) ka organizuar aksion në sheshin “Ibrahim Rugova” për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur.

YIHR KS vendosi një pllakë në Memorialin e Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë, ku qëllimi ishte të shënjojë memorialin dhe atë që përfaqëson.

“Që nga vendosja e memorialit, nuk ka pasur asnjë shenjë zyrtare për të shpjeguar qëllimin e tij. Kjo është pasojë e neglizhencës institucionale prej vitesh ndaj familjeve të personave të pagjetur”.

“Pllaka që YIHR KS vendosi sot është në pesë gjuhë, shqip, serbisht, rome, turqisht dhe anglisht, dhe shërben si përkujtim për më shumë se 1600 personat që janë ende të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Tutje, YIHR KS tha se aksioni i sotëm është një thirrje për veprim për të gjitha institucionet që të kenë prioritet zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Pllaka e vendosur sot shërben si simbol i shpresës dhe solidaritetit për familjet e personave të pagjetur dhe si një rikujtim për institucionet se nuk mund të anashkalojnë përgjegjësinë e tyre për të kërkuar të vërtetën dhe për të siguruar zbardhjen e fatit të personave të pagjetur që familjet e tyre e presin prej vitesh për më shumë se 20 vite”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat