Këshilli Prokurorial kërkon dekretimin e Kryeprokurorit, kjo është përgjigja e Presidencës

Aktuale

Këshilli Prokurorial kërkon dekretimin e Kryeprokurorit, kjo është përgjigja e Presidencës

Më: 27 prill 2023 Në ora: 10:38
Presidenca e Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës është ende në pritje të përgjigjes së Presidencës për dekretimin e Blerim Isufaj si Kryeprokuror i Shtetit.

Nga Këshilli Prokurorial thonë se presin nga Presidentja Vjosa Osmani si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, të bëjë dekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Ata thonë se dekretimin e Kryeprokurorit dëshmohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“KPK-ja, pas letrave të shkëmbyera me Zyrën e Presidentes të Republikës së Kosovës lidhur me dekretimin e z.Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pret që Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, të bëjë dekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, në mënyrë që të ketë funksionalitet të plotë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Presidenca nuk tregon kur do ta dekretoj Kryeprokurorin

E pikërisht për këtë, media ka tentuar ta marrë një përgjigje nga Presidenca, por që kanë thënë se nuk kanë ndonjë gjë të re.

“Ju njoftojmë sapo të ketë diçka të re”, thuhet shkurtimisht në përgjigje.

Kërkesa për dekretim të Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit ka pasur nga Këshilli Prokurorial edhe në të kaluarën.

Në atë kohë, nga Presidenca kërkesa e KPK-së u vlerësua si jo legjitime.

Nga Këshillit Prokurorial për Front Online e kanë arsyetuar kërkesën duke thënë se kanë për qëllim mirëfunksionimin e Prokurorisë.

“Gjithashtu, kërkesa e Këshillit Prokurorial të Kosovës për dekretimin e z.Blerim Isufaj në krye të institucionit të Prokurorit të Shtetit është legjitime, si dhe ka për qëllim krijimin e mundësisë për mirëfunksionimin e Prokurorit të Shtetit, ngaqë vendit i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit me mandat dhe fuqi kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Miftaraj: Dekretimi i Kryeprokurorit do të ishte lajm i mirë për sundimin e ligjit

Njohësi i drejtësisë, Ehat Miftaraj thotë për Fo se Presidentja do të duhet në një afat të arsyeshëm kohor të merrte një vendim për dekretimin e Kryeprokurorit.

 “IKD në vazhdimësi ka potencuar se Zyra e Presidentes nuk ka ndonjë afat ligjor strikt brenda të cilit duhet të vendos lidhur me propozimin e dërguar nga KPK. Sidoqoftë, duke marr për bazë se flitet për një proces të rëndësishëm që lidhet me sistemin prokurorial dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe faktit se procesi i Kryeprokurorit të Shtetit është komplikuar si rezultat i Këshillit Prokurorial të Kosovës, të cilët kanë dështuar të organizojnë një proces të drejtë dhe të bazuar në meritokraci dhe që fiton besimin e publikut nga ky proces, edhe përkundër kësaj Presidentja do të duhej të merrte një vendim brenda një afati të arsyeshëm kohor”, deklaroi ai.

Miftaraj thotë se sa më shpejt të vendoset, do të ishte mirë për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Në këtë drejtim sa më shpejtë që Presidentja merr një vendim lidhur me këtë proces, do të ishte lajm i mirë për sundimin e ligjit”, u shpreh ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po ashtu e ka sulmuar ashpër Blerim Isufaj që po synon të bëhet kryeprokuror.

Gjatë seancës ministrja tha se Kosovës i duhet një kryeprokuror që “nuk e ka bishtin e zënë me derë”.

“Mos i dërgoni akuza qeverisë për kërcënime të prokurorëve, ndikim në prokurori. Ju e dini shumë mirë se për çka përkushtohet qeveria Kurti. Neve na duhet një kryeprokuror i guximshëm që nuk e ka bishtin e zënë me derë, që nuk i shërben individëve, që nuk i shërben grupeve të interesit. I shërben ligjit, mandatit të tij dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Mandati i kryeprokurorit të shtetit është shtatë vite, janë shumë. Nuk mundemi dhe shtatë vite të tjera ta çojmë me një kryeprokuror që s’ka integritet moral, profesional pra që është i paaftë, dhe që nuk njihet për asnjë lëndë të mirë që e ka adresuar përpara”, ka thënë Haxhiu.

Kanë kaluar më shumë se një vit qëkur Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Por votimi i tij në krye të prokurorisë po kundërshtohet nga ambasadorët e huaj në Kosovë dhe organizata vendore.

Kjo sepse sipas tyre janë shpërfillur parimet për një proces të drejtë dhe meritor.

Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat