Dënohet ish-prodekani i Fakultetit të Mjekësisë për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Aktuale

Dënohet ish-prodekani i Fakultetit të Mjekësisë për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Më: 26 prill 2023 Në ora: 11:16
Foto ilustrim

Profesori i mjekësisë interne, Ibrahim Rrudhani, është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, lidhur me akuzën se në cilësinë e prodekanit të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk e ka bërë raportimin e saktë të pasurisë.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të mërkurën nga gjykatësi i çështjes, Ibrahim Maloku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, dënimi me 6 muaj burgim me kusht ndaj Rrudhanit nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër penale brenda një viti.

Po ashtu, ai është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro dhe për kompensim të viktimave të krimit shumën prej 20 euro.

Ndryshe, Rrudhani kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 25 prill 2023.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 8 shkurt 2023, Ibrahim Rrudhani akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, Prodekan në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë në Prishtinë, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5, paragrafi 1.1. të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë, ku ka qenë i detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në aktakuzë thuhej se me rastin e deklarimit të pasurisë më 21 mars 2019 dhe 29 prill 2020, për vitet paraprake, Rrudhani përmes formularit për deklarimin e pasurisë nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2018 dhe nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2019, nuk ka deklaruar saktë të hyrat dhe mëditjet në shumën prej 3 mijë e 794 euro për vitin 2019.

Tutje, sipas akuzës i njëjti nuk kishte deklaruar dhe pronën e paluajtshme në zonën kadastrale Novosellë-Kamenicë dhe pronën e paluajtshme në zonën kadastrale Makresh i Epërm – Kamenicë, të dyja këto prona private.

Sipas akuzës, këto prona si dhe pagën-mëditjen, Rrudhani nuk i ka deklaruar në tërësi edhe pse i njëjti ka qenë i obliguar t’i deklarojë.

Me këtë, Rrudhani ngarkohej me veprën penale “Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat