Anëtarësimi dhe ecuria e Kosovës për në KiE, Gërvalla optimiste, Daçiq bën "drama"

Aktuale

Anëtarësimi dhe ecuria e Kosovës për në KiE, Gërvalla optimiste, Daçiq bën "drama"

Më: 22 prill 2023 Në ora: 06:45
Foto ilustrim

Janë bërë më shumë se një vit prej kur Kosova ka aplikuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Ende nuk dihet nëse ka diçka konkrete, derisa ky institucion, ka qenë tepër i rezervuar në deklarata. Gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e bëri një dramë rreth kësaj çështje, derisa disa fjalë i foli edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Çka u tha së fundi?

Na ndajnë më pak se një muaj tashmë prej kur pritet të mbahet samiti i Këshillit të Evropës. Ky do të mbahet në Reykjavik në Islandës në datat 16 dhe 17 maj 2023.

Ndonëse jemi në prag të një organizimi kaq të rëndësishëm, nuk ka shumë detaje reth anëtarësimit të Kosovës.

Pyetur në lidhje me këtë çështje, zëdhënësi Dusan Vojnovic i bëri të ditur  se “diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale”.

“Aplikimi është duke u marrë parasysh nga Komiteti i Ministrave, në dakordim me të gjitha rregullat relevante.” – ka thënë z.Vojnovic.

Fjalët e fundit të Gërvallës për KiE

Jo më larg se të premten, ministrja Gërvalla u deklarua rreth kësaj çështje, duke thënë se “kërkesa e Kosovës pritet që të kalojë në një kohë jo të largët nga Këshilli i Ministrave në Asamblenë Parlamentare”.

“Ne jemi shumë optimist për një proces fer ndaj Kosovës dhe shpresojmë dhe presim që së shpejti të kemi lëvizje edhe në këtë drejtim. Ne jemi të gatshëm për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkojmë vetëm një anëtarësim meritor.” – tha ajo në një konferencë për media pas takimit me homologun e saj suedez.

Por, para disa ditësh derisa po fliste në Komisionin për Punë të Jashtme, Gërvalla kishte deklaruar se votat janë siguruar.

“Çfarë ka ndodhur ndërkohë është se askush nuk ka dilemë që votat i kemi të siguruara, kjo ka qenë sfida kryesore që partnerët tanë kanë menduar se do të jetë më e madhja, sigurimi i votave të nevojshme për të pranuar kërkesën tonë. Votat janë siguruar dhe unë mendoj që nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë, pasi janë shterur të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga Komiteti Ministror tek Asambleja Parlamentare e KiE.” – kishte thënë ajo.

“Dramat” e Daçiqit

Para tri ditëve u raportua se ministri serb, Ivica Daçiq nuk do të marrë pjesë në përvjetorin e anëtarësimit të Serbisë në KiE, pikërisht për shkak të mundësisë që çështja e Kosovës të vendoset në agjendë.

Madje, mediat serbe raportonin se kjo do të bëhej “në 10-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit”.

“Çfarë mesazhi është ky? Është poshtërim dhe një mesazh që Kosova mund të bëjë çfarë të dojë. Nëse këto paralajmërime janë të vërteta, unë sigurisht që nuk do të shkojë në Steasburg nesër.” – citohet të ketë thënë ai.

Megjithatë, dramat morën fund, Daçiq mori pjesë në këtë organizim që u mbajt në Strasburg.

Ndërkohë, pikërisht të shtunën, “Kosovo-Online” ka raportuar se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në KiE do të vendoset në agjendë për seancën e 24 prillit, që i bie të hënën.

Çka do të fitonte Kosova në rast se anëtarësohet?

Nuk dihet se kur do të ndodhë, por në rast të anëtarësimit, Kosova do të përfitonte në disa fusha duke pëfshirë aspektin politik, juridik dhe ekonomik.

Anëtarësim në këshill do të ndikonte në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Veç kësaj, anëtarësimi rrit mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme në vendet jashtë Kosovës e që janë anëtare të KE-së. Gjithashtu, shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nëse konsiderojnë se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre nga ndonjë institucion shtetëror i Kosovës, apo cilido shtet anëtar i KE-së.

Po ashtu, Kosovës do t’i mundësohej që të ketë qasje në mekanizma të shumtë të monitorimit dhe vlerësimit, të tilla si GRECO, MONEYVAL, ECSR, CEPEJ, CPT, GRETA si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.

Ndryshe, Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër politike në Evropë.

E themeluar më 5 maj të vitit 1949, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat