Kaq janë të dënueshme veprat penale për të cilat akuzohet kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

Aktuale

Kaq janë të dënueshme veprat penale për të cilat akuzohet kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

Më: 20 prill 2023 Në ora: 15:49
Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, u arrestua të mërkurën nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’, dhe ‘’Konflikti i interesit’’. Avokati Arbër Jashari tregon se sa janë të dënueshme këto tri vepra.

Avokati Jashari tregon se të tri këto vepra hynë në kuadër të kapitullit të veprave penale kundër korrupsionit zyrtar të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për këto vepra penale dënueshmëria parashihet nga 1 deri në 10 vite burgim.

“Për veprën penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritet zyrtar “ nga neni 414 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të këtij kodi, është paraparë dënim nga 3 deri në 10 vjet burgim.

Për veprën penale: “Ushtrim ndikimi” nga neni 424, paragrafi 1 i KPRK-së, parashihet dënimi prej 1 deri në 8 vjet burgim.

Ndërsa për veprën penale: “Konflikt interesi” nga neni 417, paragrafi 2, i te njëjtit ligj, parashihet dënimi prej 1 deri në 5 vjet burgim”, tha Jashari.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njoftoi se ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ndaj kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Krasniqu u arrestua dje dhe i njëjti me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat