LDK për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: Drejtësia s’ka pse t’i frikësohet Kurtit

Aktuale

LDK për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: Drejtësia s’ka pse t’i frikësohet Kurtit

Më: 20 prill 2023 Në ora: 13:00
Visar Azemi

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur KEK-un, Korporatë Energjetike të Korrupsionit.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Visar Azemi, pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se Qeveria po vazhdon ta mbrojë këtë person edhe përkundër dyshimeve dhe keqpërdorimeve.

Siç tha ai, Krasniqi e ka keqpërdorur pozitën e tij që dy vite, teksa ka hedhur dyshime se ai ka bashkëpunuar edhe me Martin Berishajn.

Tutje, Azemi ka thëne se “drejtësia s’ka pse t’i frikësohet Albin Kurtit”.

Fjalimi i plotë:

Dje, ra në pranga njeriu që kryeministri Albin Kurti e instaloi në krye të KEK-ut, Nagip Krasniqi i cili shërbente si drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. Njeriu i Kurtit që u zgjodh në krye të KEK-ut në mesin e 34 kandidatëve dje u arrestua për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim të ndikimit” dhe “Konflikt i interesit”.

Ky arrestim vjen pas gati dy viteve të Nagip Krasniqit në krye të kësaj ndërmarrjeje, që janë dy vite të Kosovës të thelluar në krizë energjetike dhe dyshimeve të parreshtura për keqpërdorime e abuzime në sektorin e energjisë. Sipas raportimeve ne medie, ai sot po hetohet për tenderin në vlerë 3.4 milion euro që ia dha një biznesi pas një negocimi për vetëm 6 ditë. Për më tepër, njeriu i Kurtit, Nagip Krasniqi përflitet që kishte qëndruar në një vizitë në Zagreb me Martin Berishaj në 2022 së bashku me një tregtar të energjisë elektrike që ngrite dyshime për marrëveshje të tregtimit të energjisë elektrike.

Pra, me Martinin mikun e Kurtit, emri i të cilit prej muajsh po lakohet edhe në mediat e rajonit për një aferë korruptive që lidhet me sektorin e energjisë e për transaksione milionëshe të dyshimta. Janë dy njerëz të Albin Kurtit që përfliten, dyshohen e hetohen për raste korruptive e për dëmtimin e buxhetit të Kosovës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin. E Qeveria vazhdon t’i mbrojë këta dy, përderisa vazhdon t’i sulmoj institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës. Pra, gjatë këtyre dy viteve kjo Qeveri përveç që ka treguar që është plotësisht e paaftë të menaxhojë, ata janë duke i shkaktuar Kosovës dëme milionëshe siç janë rastet: – vendimi për t’i nda 100 milionë euro për t’i mbuluar shpenzimet e konsumatorëve në Veri.

Zvarritjen e remontit të bllokut A5 të Kosova A e duke importuar energji nga jashtë me çmime tepër të larta. Krejt kjo dukej si paaftësi e këtij pushteti, i cili s’ka bërë as edhe një hap për të investuar në kapacitete të reja prodhuese. Por, nga dje, duket se është kristal e qartë se këtu ka një prapavijë. Krejt këto veprime e mosveprime duket se janë të përshtatura për mafinë energjetike. Për bizneset multimilonëshe të Martin Berishajt, Albin Kurti, i cili në krye të shtetit erdhi me zotimin që t’iu shërbejë qytetarëve, duket se tashmë është shndërruar në shërbyes të Martin Berishajt, e për të cilin po del se ka angazhuar edhe argatë si Nagip Krasniqi. Dy shokët dhe bashkëpartiak të Albin Kurtit sot janë nën llupën e drejtësisë, kurse Albin Kurti hesht, derisa partia e tij po i shpallin luftë institucioneve pse po hetojnë aty ku ka dyshime për afera të mëdha korrupsioni. Megjithatë, Prokuroria dhe krejt organet përgjegjëse duhet me këmbëngulje t’i shkojnë deri në fund hetimit. Të gjitha këto dyshime për skandale e korrupsion milionësh ku përfshihen miq e bashkëpunëtorë të Kurtit, duhet të zbardhen. Drejtësia s’ka pse i frikësohet Albin Kurtit.

Si LDK, inkurajojmë dhe mbështesim hetimin e mirëfilltë dhe nxjerrjen para drejtësisë të gjithë rrjetit mafioz e abuzues me energjinë elektrike. Askush nuk do të mundet të përfitojë në kurriz të qytetarëve.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat