Musliu: Prania e AKI-së nuk e cenon pavarësinë e institucioneve

Aktuale

Musliu: Prania e AKI-së nuk e cenon pavarësinë e institucioneve

Më: 18 prill 2023 Në ora: 23:05
Agim Musliu

Eksperti i Sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se prania e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës nuk e cenon sigurinë dhe pavarësinë e institucioneve.

Reagimi i Musliut vjen pasi ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se nëse shefi i AKI-së ka vizituar Gjykatën Kushtetuese, ai ka bërë vepër penale e abuzimit të detyrës zyrtare.

“Nuk e cenon sigurinë e as pavarësinë e institucioneve prania e AKI kudo. Veçmas nuk e shoh problem vizitën e z.Ajetit kudo në Kosovë. Përkundrazi!”, ka shkruar Musliu në një postim në Facebook.

“Nuk ka as një institucion që ka kompetenca gjithpërfshirëse, si munden të materializohen/operacionalizen informacionet nëse nuk bashkepunojnë institucionet?!”, ka thënë ai.

Më tej ai ka thënë se “madje, inteligjenca jonë besoj se ka bashkëpunëtorë kudo në institucionet tona. Kjo është më e pakta që ata duhet ta bëjnë… prandaj, nuk e shoh problem vizitën, e veçmas kur edhe vet Gjykata Kushtetuese e cilësoi si OK!”

“Përndryshe, dihet se nëse diku nuk është AKI-a, mund të jetë BIA!!!”, tha ai.

Ndryshe, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për shkrimin e publikuar në një portal ku thuhet se shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, për ta informuar këtë të fundit për gjyqtarët e Kushtetueses se kinse po përfshihen në krim.

Sipas Hasanit, nëse shefi i AKI-së ka vizituar Gjykatën Kushtetuese, ai ka bërë vepër penale e abuzimit të detyrës zyrtare.

“AKI-ja asnjë autorizim dhe asnjë pikë bashkëpunimi me Gjykatën Kushtetuese nuk e ka, asnjë. AKI mund ta vizitojë Gjykatën Kushtetuese vetëm nëse ka ndonjë raport personal, apo muhabet me dikë, ose kur të zgjidhet kryetari shkon me ia uru, e as kjo nuk është me vend”, tha Hasani.

Hasani tutje tha se Gjykata Kushtetuese nuk e ka mandat luftimin e krimit, prandaj AKI-ja nuk merr leje nga ky institucion për zhvillim të hetimeve qoftë brenda institucionit të gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat