Specialja në ‘mbyllje hermetike’: Katër ditë seanca private për dëshmitaren e parë

Aktuale

Specialja në ‘mbyllje hermetike’: Katër ditë seanca private për dëshmitaren e parë

Më: 11 prill 2023 Në ora: 17:22
Dëshmia

U paraqit si e para dëshmitare në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por Dhomat e Specializuara vendosën të censurojnë çfarëdo përgjigje që kjo grua, do jap para Trupit Gjykues.

Kjo pritet të ndodhë në çështjen e saj, edhe gjatë katër seancave të ardhshme.

Një gjë e tillë u vendos me kërkesë të Prokurorisë Speciale, meqë kërkoi të përfshijë materiale të reja në lidhje me dëshminë e dëshmitares së mbrojtur.

Ky vendim u kundërshtua ashpër nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, me arsyetimin se nuk është ne përputhje me rregullat e Gjykatës Speciale.

E gjitha pasi prokuroria kërkoi të përfshijë në cilësinë e materialit përgatitor shtesë, paragrafët 18 deri në 21, krahas materialit që përmban dëshminë e gruas së panjohur e cila konfirmoi se është intervistuar dy herë në Prishtinë nga Prokurorët Specialë.

Pas një përballjeje mes mbrojtjes, prokurorisë dhe kreut të trupit gjykues, prokuroria kërkoi që e tërë dëshmia katër ditore të mbahet në seancë të mbyllur, gjë që u aprovua nga kryegjykatësi.

Mbrojtja tha se sipas rregullores këto materiale mund të dorëzohen gjashtë javë pasi të bëhet kërkesa e jo në këtë mënyrë.

”Është pak proces i çuditshëm kështu”, u shprehën nga mbrojtja.

Teksa gjykatësi tha se mbrojtja ka në dispozicion 14 orë për pyetje drejtuar dëshmitares së mbrojtur.

Në fakt, “mbyllja hermetike” e Speciales është ajo që e ka karakterizuar këtë institucion të drejtësisë që nga nisja e punës së saj.

Madje, akuza për këtë sjellje, ndaj Speciales kanë pasur edhe avokatët mbrojtës.

Këta të fundit, disa herë janë ankuar se Prokuroria e Specializuar ka “fshehur” materiale shfajësuese, e më pas edhe materialet e tjera që do të duheshin të zbuloheshin në kohë për të mundësuar mbrojtje efektive.

Për më tepër, Prokuroria e Specializuar pretendonte që gjyqin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ta niste në mes të vitit 2021, ndonëse avokatët thonin se një gjë e tillë është përtej absurdes.

Gjyqi ndaj krerëve të UÇK-së nisi javën e kaluar me deklaratat hyrëse të Prokurorisë, mbrojtjes, si dhe avokatëve të viktimave.

Nga pretendimet e prokurorisë, të zbardhura deri tash, është zbuluar se akuzat ndaj krerëve të UÇK-së, nuk kanë të bëjnë asgjë me trafikimin e organeve, për hetimin e të cilave edhe është themeluar ky institucion që paguhet me miliona euro për ta kryer punën e vet.

Për këtë vit, janë parashikuar gjithësej 81 seanca gjyqësore ndaj krerëve, kurse në procedurë, janë gjithësej 140 viktima pjesëmarrëse dhe rreth 300 dëshmitarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat