Miftaraj thotë se KPK e prishi procesin për Kryeprokuror: Zyra e Osmanit në pozitë të palakmueshme

Aktuale

Miftaraj thotë se KPK e prishi procesin për Kryeprokuror: Zyra e Osmanit në pozitë të palakmueshme

Më: 7 prill 2023 Në ora: 13:48
Ehat Miftaraj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje i ka kthyer përgjigje Këshillit Prokurorial të Kosovës duke cilësuar si presion të paligjshëm letrën për çështjen e emërimit të Kryeprokurorit.

Lidhur me këtë situatë të krijuar, ka folur Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke thënë se është obligim i presidentes Osmani që të marr një vendim lidhur me procesin meqë i njëjti s’mund të shtyhet në pafundësi.

“Kur kanë kaluar një vit nga dërgimi i propozimit të KPK lidhur me procesin e dekretimit të kandidatit për Kryeprokuroror të Shtetit, është obligim i Presidentes që të marr një vendim lidhur me këtë proces. Ky proces duhet të marr kahje dhe nuk mund të shtyhet në pafundësi”, ka thënë Miftaraj.

Megjithatë ai e konsideron të pakuptimtë shkresën e KPK-së, meqë thotë se i njëjti institucion e ka vendosur Zyrën e Presidentes në një pozitë ta palakmueshme duke mos e zhvilluar procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit në meritokraci, paanshmëri dhe pavarësi.

“Në anën tjetër, është e pakuptimtë shkresa e KPK, duke marr për bazë se i njëjti Këshill ka sjellur Zyrën e Presidentes në një pozitë të palakueshme duke mos zhvilluar një proces të bazuar në meritokraci dhe në pajtim me parimet kushteteuse për të siguruar një proces të drejtë, pavarur dhe të paanshëm”, ka shtuar tutje ai.

Miftaraj thotë se procesi që ka udhëhequr KPK s’ka arritur që të fitojë besimin e publikut, as të shoqërisë civile e as të ambasadave të huaja në Kosovë.

Ai në fund potencon se pavarësisht vendimit që do të marrë presidentja, njolla për këtë proces do t’i mbetet KPK-së.

“Procesi i udhëhequr nga KPK nuk ka arritur të fitoj besimin e publikut, duke u kritikuar nga shoqëria civile, ambasadat dhe nga vet Raporti i Progresit të Komisionit Evropian. Në këtë drejtim, pavarësisht, se cili do jetë vendimi i Presidentes, njolla lidhur me këtë proces i mbetet Këshillit Prokurorial të Kosovës duke cenuar integritetin e këtij sistemi.”, ka përfunduar Ehat Miftaraj.

KPK para dy ditësh i ka shkruar letër presidentes Vjosa Osmani përmes së cilës i ka kërkuar dekretimin e Blerim Sufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat