Përplasje të ashpra në Kuvend, debati eskalon në fyerje të rënda – ndërhyn Konjufca

Aktuale

Përplasje të ashpra në Kuvend, debati eskalon në fyerje të rënda – ndërhyn Konjufca

Nga: Bota sot Më: 7 prill 2023 Në ora: 06:28 Përditësuar në ora: 15:36 më 07.04.2023
Kuvendi i Kosovës

Bekë Berisha kapet me Dimal Bashën: Kur të foli unë ti veç e kqyr kompjuterin

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha në seancën e Kuvendit të Kosovës që po vazhdon edhe sot. Berisha ka kritikuar qeverisjen dy vjeçare të Qeverisë Kurti dhe ka thënë se korrupsioni po vazhdon njëjtë dhe se edhe pushteti po merr para nga oligarkët.

Pas këtyre akuzave në drejtim të Qeverisë, ndaj deputetit Berisha ka reaguar Dimal Basha nga vendi i tij. 

Ka qenë e menjëhershme ndërhyrja e deputetit Bekë Berisha, duke i kërkuar Bashës që të mos e ndërprejë.

Dimal, kur të flasë unë ti veç e kqyr kompjuterin”, ka thënë Bekë Berisha.

Pacolli: Kosova asnjëherë s’ka qenë më mirë sesa me këtë qeveri

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, para deputetëve në kuvend, është shprehur se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më mirë sesa me këtë qeveri.

“Duke dëgjuar fjalimet e opozitës, sipas tyre Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë punë të mirë, por duke e dëgjuar popullin asnjëherë Kosova nuk ka qenë më mirë sesa me këtë qeveri. Kur kjo qeveri e filloi mandatin e saj, gjendja nëpër ministri në përgjithësi ishte e rëndë. Borxhe, punë të pakryera, projekte gjysmake, e paplanifikim të mirëfilltë, korrupsion, nepotizëm e shumëçka tjetër”, tha ajo.

Pacolli tutje u shpreh se kur kjo qeveri filloi mandatin, sipas saj, Ministria e Bujqësisë ka qenë në gjendjen më të rëndë.

“Ministria e Bujqësisë ishte ministria që ishte në gjendjen më të rëndë. E ngulfatur nga borxhet, kishte shumë raste korruptive, zyrtarë të shumtë nën hetime, të akuzuar për marrjen të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. E rezultati ishte ‘bujqësi e pazhvilluar e fermerë buzë dështimit që nuk nxjerrnin dot as investimet e tyre”, u shpreh tutje ajo.

Berisha: Në qeveri ka korrupsion, i di “hajnat” me emër, më kanë treguar oligarkët

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, tha se Qeverinë e Kosovës, e karakterizon nepotizmi e korrupsioni.

Ai në Kuvendin e Kosovës, u shpreh se të korruptuarit i di edhe me emër, duke aluduar se vetë oligarkët i kanë treguar atij se kanë dhënë para për qeveritarët.

“Hajni nepotizëm si asnjëherë më parë, i di edhe hajnat me emra. Kur t’i marrin parat qeveria, këta oligarkët na tregojnë, se i njohim. Mos u thirrni shumë në anti – korrupsion”, ka thënë ai.

Ai e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, edhe për sic ka thënë uljen e pagave për Policinë e Kosovës.

“Dështim total në çdo aspekt në sektorin e sigurisë, që gjashtë muaj shkojnë policë, e ruajnë objektin dhe nuk ndërrohen, rroga ju ka ulë, le të thotë cka do ministri i Financave, ata e kanë rrogën më të dobët se e kanë marrë”, ka thënë ai.

Sipas tij qeveria aktuale është njëra nga qeveritë më të dështuara ndonjëherë.

Ministri Çeku ia kthen Zemajt, mohon se ka këshilltar me pagë 5 mijë e 560 euro

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, iu ka përgjigjur deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, për çështjen e ekspertit, për të cilin ky i fundit tha se paguhet mbi 5 mijë euro.

Çeku tha në seancë se personi në fjalë nuk është këshilltar, por konsulent profesional që është angazhuar nga administrata dhe nuk është emërim politik.

Nuk është këshilltar i ministrit, nuk ka kuptim për një këshilltar të paguhet aq shumë, por është konsulent që ofron shërbime të caktuara të cilat e kanë vlerën që e kanë, kontrata është publike, për ato shërbime ai ka thënë që aq kushton”, tha ministri.

Ai poashtu mohoi se ka subvencionuar më së shumti OJQ-të në Prizren.

“Kjo nuk qëndron, është gënjeshtër, shumica e subvencioneve nuk kanë shkuar në organizatat e Prizrenit”, tha ministri.

Zemaj thotë se Çeku ka një këshilltar i cili paguhet 5 mijë e 560 euro

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka një këshilltar i cili paguhet 5 mijë e 560 euro.

Në seancën e sotme e cila është vazhdim i debatit për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, Zemaj kërkoi nga Çeku sqarim lidhur me këtë çështje.

“Sipas informatave që kemi, ju e keni paguar një ekspert që juve ju këshillon me pagë 5 mijë e 560 euro, a mund të na tregosh çfarë cilësie ka ky ekspert, për çka?”, pyeti deputeti.

Zemaj poashtu tha se ministri Çeku ka dhënë më së shumti miliona subvencione në OJQ-të e Prizrenit.

“Besa edhe për OJQ ku keni qenë ju i angazhuar më përpara”, tha Zemaj.

Bajrami – Kurtit: Dasmat bëjini në institucione, krejt familjarët aty i keni

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka kritikuar Qeverinë. Ajo ka thënë se në dy vjet qeverisje nuk është bërë asgjë në Kosovë.

Bajrami ka theksuar se s’ka projekte, investime, transparencë.

Ka thënë se premtimet që i ka dhënë kryeministri Albin Kurti, në qeverisje nuk i ka përmbushur, ndërsa se institucionet janë mbushur me familjarë.

“Asnjë punë, asnjë projekt, asnjë investim, asnjë rrugë, asnjë shkollë, zero transparencë, institucione vakante jofunksionale, ky është bilanci i qeverisë Kurti. Keni ardhur në pushtet me premtime të mëdha. Krejt politika juaj ekonomike është reduktuar në lëmoshë. Për transparencë të mos flasim, dy vite qeverisje asnjë listë e publikuar. Kurti në opozitë ka premtuar se nuk do të paguaj energji elektrike për serbët e veriut por për dy vite ka paguar plot 98 milionë euro. Çka ndodhi ku mbeten premtime ku mbetën ndryshimet? Ku është banka zhvillimore e fondi sovran? Kemi rënie të prodhimit vendor dhe rënie të konsumit. Është rritur tatimi në pronë, punësim ka në Gjermani por në Kosovë nuk ka. Krejt çka keni bërë në drejtësi i shohim me rastin e Martin Berishajt. Kryeministri thoshte se familjarët janë për dasma, sot dasmat lirisht mund t’i bëni në institucione se krejt familjarët i keni aty. Besoj që duhet të ju vij turp për votat që i keni marrë, për këto dy vjet nuk e keni pasur asnjë pengesë të vetme për realizimin e programit tuaj qeverisës”, ka thënë ajo në debatin që po zhvillohet në Kuvend për punën dyvjeçare të Qeverisë.

​Aliu: Do ta shkurtojmë rrugën ajrore drejt Evropës

Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, po vazhdon edhe sot ku ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka deklaruar se ideja që do të mund të ndërtohet infrastruktura, pa realizuar shpronësimet është ide e gabueshme dhe iu ka sjellë në vazhdimësi telashe.

Aliu në vazhdimin e seancës ku po diskutohet për punën dy vjeçare të Qeverisë, ka thënë se sa i përket rrugëve ajrore, në të ardhmen do ta bëjnë edhe një marrëveshje me Malin e Zi, e cila do të shkurtojë rrugët drejt Evropës.

“Një marrëveshje e tillë i shkurton rrugët ajrore prej Vjenës në Prishtinë për gati rreth një orë, natyrisht pas hapjes së rrugëve me Shqipërinë. Një kohë rrugët ajrore që kanë ardhë në Aeroportin e Prishtinës, ka shkruar përmes Maqedonisë, tash me hapjen e korridoreve me Shqipërinë është shkurtuar rruga dhe në të ardhmen pas arritjes së marrëveshjes me Malin e Zi, do të kemi mundësi të hapim dy korridore të reja me Malin e Zi të cilat do të na shkurtojnë rrugën për fluturimet nga Evropa më shumë se 30 minuta nga versioni i parë që ka qenë me Malin e Zi”, tha ai.

Ministri Aliu ka thënë se ideja që do të mund të ndërtohet infrastruktura, pa realizuar shpronësimet është ide e gabueshme dhe iu ka sjellë në vazhdimësi telashe.

Aliu: Në këtë vit presim që 25 milionë euro t’i shpenzojmë për shpronësime

“Që në vitin e parë kemi arritur t’i shpronësojmë 75 milionë euro me rishikimin e buxhetit 2022, dhe në këtë vit presim që edhe 25 milionë tjera t’i shpenzojmë për projekte të tjera që lidhen Prishtinën me Gjilanin, Gjakovën, Mitrovicën, Pejën dhe Podujevën”, tha ai, duke shtuar se pas këtyre shpronësime do të ketë avancim në punimet e këtyre projekteve.

Ai shtoi se të gjitha terminalet doganore janë rikthyer në pronësi të shtetit.

Atij i ka reaguar shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili i tha se e kupton procedurën e shpronësimeve.

Tahiri: Premtuat se rruga do të kryhet për 9 muaj, por janë bërë tri vjet e rruga nuk është kryer

“Nuk e kuptoj Hysen Durmishin në fushatë zgjedhore ku del dhe shkon e thotë qytetarëve të Podujevës se për 9 muaj kryhet, pastaj shkon kryeministri. Jo që kanë kaluar 9 muaj por kemi hyrë në vitin e tretë dhe rruga për Podujevë nuk është kryer. Këtu duhet të marrë një përgjegjësi politike me thënë kërkojmë falje, kemi qenë në zgjedhje në rregull jemi”, tha ai.

Ministri Aliu iu kundërpërgjigj duke thënë se pjesa e premtuar se do të realizohet për 9 muaj, është realizuar.

Zemaj, Aliut: Rrugët e Kosovës janë shndërruar në rrugë të përgjakshme

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar nga Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, t’ua sqarojë qytetarëve se çka po ndodh me shumë rrugë të Kosovës.

Në seancën ku po diskutohet për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, Zemaj tutje tha se vdekshmëria në aksidente që ndodhin në vend është më e larta në rajon, dhe shkak i tyre, siç tha Zemaj, janë rrugët.

“Rruga Kiev-Pejë që dy vite asnjë lëvizje, Prishtinë-Mitrovicë që dy vite. Që 30 muaj jeni në pushtet, je duke folur sikur ditën e parë kur edhe e keni shpalosur programin e Qeverisë.

Vdekshmëria është më e larta në rajon, rrugët e Kosovës janë shndërruar në rrugë të përgjakshme”, tha Zemaj.

Sot vazhdon debati në Kuvendin e Kosovës për punën dy vjeçare të qeverisë

Kuvendi Kosovës me fillim nga ora 13:00 sot do të vazhdojë punimet e ndërprera, ku do të diskutohet për punën dy vjeçare të qeverisë së Kosovës.

Ndryshe dje për shumë orë në Kuvendin e Kosovës, pozita lavdëroi qeverinë e Kosovës, për punën që është bërë në këto dy vite, ndërsa opozita kritikoi qeverinë për mos arritje të objektivave.

Puna dy vjeçare është prezantuar puna dy vjeçare e qeverisë e Kosovës, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrat e tij,

Po ashtu në rend dite janë edhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,

shqyrtimi i dytë i Projektligjit për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,

shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për energjinë, shqyrtimi i parë i Projektligjit për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe  punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, 

shqyrtimi i parë i Projektligjit për çmimin e produkteve medicinale, shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat