Papunësia shënon rënie, ASK publikon anketën e rezultateve një vit me vonesë

Aktuale

Papunësia shënon rënie, ASK publikon anketën e rezultateve një vit me vonesë

Më: 4 prill 2023 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Papunësia në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2022 ishte 16.6 për qind, që shënon rënie të papunësisë në krahasim me periudhën e tremujorit të katërt të vitit 2021. Në atë periudhë norma e papunësisë ishte 25.8 për qind.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia më e theksuar është te femrat me 18.9 për qind, krahasuar me meshkujt, 15.6 për qind. Ndërkaq, shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 31.4%.

Megjithatë, rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore vazhdojnë të publikohen një vit me vonesë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Por, udhëheqësja e Divizionit të Statistikave Sociale në ASK, Naime Rexhepi ka thënë për KosovaPress se publikimi i rezultateve për indikatorët e punësimit dhe papunësisë bazuar në Anketën e Fuqisë Punëtore ka pësuar vonesa për shkak të faktorëve të ndryshëm.

Sipas Rexhepit, faktorët kryesor për paraqitjen e vonesave në publikimin e të dhënave për indikatorët e punësimit dhe papunësisë viteve të fundit janë: pandemia COVID-19, ndryshimet në legjislacion për angazhimin e stafit dhe ndryshimet në menaxhmentin e lartë në ASK.

“Legjislacioni i ri, i cili ndalonte angazhimin e stafit të jashtëm, hyri në fuqi në gusht 2020. Pas skadimit të kontratave të anketueseve dhe ndryshimeve në menaxhimin e ASK-së, angazhimi i stafit të jashtëm u bë i vështirë deri në prill të vitit 2021. Si rezultat, angazhimi i stafit në prill 2021 kërkohej mbledhja e të dhënave për periudhën paraprake nëntëmujore. Në gjysmën e parë të vitit 2022, përsëri ASK-së iu desh të ndërpresë intervistat në terren dy herë për nga një muaj për shkak të pandemisë COVID-19, e cila ndikoi në mbledhjen e të dhënave të njëpasnjëshme dhe shkaktoi vonesa të mëtejshme. Për të adresuar vonesat, ASK-ja me shume sfida në legjislacion angazhoi staf për ri-intervistim përmes metodës CATI (përmes telefonit) nga marsi i vitit 2022 megjithatë, kjo ishte e mundur me një vonesë disa mujore. Andaj faktorët kryesor për paraqitjen e vonesave në publikimin e të dhënave për indikatorët e punësimit dhe papunësisë viteve të fundit janë: pandemia COVID-19, ndryshimet në legjislacion për angazhimin e stafit dhe ndryshimet në menaxhmentin e lartë në ASK”, thotë ajo në një përgjigje me shkrim.

Eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti ka vlerësuar se në tremujorin e parë të vitit 2022 ishin rreth 47 mijë të papunësuar më pak dhe rreth 29 mijë të punësuar më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2021.

“Pra, dallimi është rreth 18 mijë. Çfarë ka ndodhur me ta? Janë bërë joaktiv? Jo, sepse numri i personave joaktiv në tregun e punës është zvogëluar (rreth 1.6 mijë), e gjithashtu edhe ai i atyre aktiv (rreth 18 mijë). Janë pensionuar? Jo, edhe numri i të pensionuarve qenka zvogëluar (rreth 8.8 mijë). Dhe, gjithashtu, numri i popullsisë qenka zvogëluar (rreth 24 mijë). Pra, shpjegimi i vetëm racional, duke përjashtuar ndonjë inxhiniering me të dhënat nga ASK, është emigrimi”, ka shkruar Jakurti në Facebook.

Kështu sipas tij, brenda një viti, rreth 60 për e zvogëlimit të papunësisë i atribuohet punësimit dhe rreth 40 për qind i atribuohet emigrimit.

“Thënë ndryshe: nga 10 të papunësuar që iu ka ndërruar statusi në tregun e punës gjatë vitit, 6 janë punësuar dhe 4 e kanë lëshuar Kosovën. Nëse ky trend vazhdon, në një periudhë afatshkurtër, do të ketë implikime serioze jo veç për tregun e punës por për tërë ekonominë”, shkruan ai.

Sipas raportit të fundit të ASK-së, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 61.4%, me fokus të veçantë te femrat.

“Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2022, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 61.4%, me fokus të veçantë te femrat me 77.9 %, krahasuar me meshkujt, 44.8 për qind”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së për tremujorin e parë të vitit 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat