​Kurti: E vlefshme për ne kur e kuptojmë dobinë e pakove ekonomike dhe arsimore

Aktuale

​Kurti: E vlefshme për ne kur e kuptojmë dobinë e pakove ekonomike dhe arsimore

Më: 29 mars 2023 Në ora: 15:34
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizituan sot shkollën private "Hello" në Gjilan, e cila ka përfituar nga masat qeveritare për mbështetje ndaj bizneseve. Aty u potencua se qeveria po përmbushë dy zotimet e veta për punësim dhe drejtësi.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se projekti "Super puna" mundëson punësimin e të rinjve dhe rritjen e bizneseve.

"Ju falënderoj për mirënjohjen tuaj për mbështetjen që iu kemi dhënë, sepse është shumë e vlefshme edhe për neve kur e kuptojmë dobinë që ka pasur dikush nga masat e pakove të ndryshme ekonomike dhe arsimore që i kemi dhënë ne. Edhe superpuna dhe masa për mbështetje të punësimit grave dhe ajo për rritjen e pagave si dhe ajo asnjë familje pa të punësuar që të gjitha janë refleruar në kolektivin tuaj dhe neve na vjen shumë mirë. Jeni duke bërë një punë fisnike jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen", tha ai.

Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh se projekti super puna do të ketë vazhdimësi.

"Është kënaqësi me pa institucione të tilla që zhvillohen, por njëkohësisht e kanë energjinë dhe proaktivitetin sikur ju që të shohin cilat masa po i ofron mbështetje dhe të aplikojnë. Kjo është shumë e rëndësishme që edhe bizneset të rrinë gati dhe t’i plotësojnë kriteret...Super puna është një projekt që do të jetë në vazhdimësi dhe që shkon rritja proporcionale. Unë iu kisha sugjeru që mos të ndaleni vetëm tek ata 16 të planifikuar, sepse mbështetja është për 30 për qind të stafit. Sa më shumë që rriteni si institucion rritet edhe mbështetja për juve prej qeverisë. Punë dhe drejtësi kanë qenë premtimet tona dhe ato po i realizojmë që të dyja", shtoi ai.

Në anën tjetër, drejtoresha e shkollës "Hello" në Gjilan, Hysenie Kurtishi u shpreh e kënaqur me masat qeveritare në mbështetje të bizneseve.

Kryeministri Albin Kurti në Gjilan vizitoi të mërkurën edhe biznesin "Albimi LTD”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat