Deklarata për bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, Kurti i kundërpërgjigjet Hillit

Aktuale

Deklarata për bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, Kurti i kundërpërgjigjet Hillit

Nga: A.Zh Më: 24 mars 2023 Në ora: 23:33
Kurti organizoi sot, në ndërtesën e Qeverisë, një pritje për nder të 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

Sot ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka shprehur ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë luftërave të viteve ’90. Ai përmendi edhe ata që kanë humbur të afërmit e tyre si rrjedhojë e fushatës ajrore të NATO-s.

Përmes një postimi në Twitter, Hill ka theksuar se kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike.

Duke përmendur fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe, ai ka thënë se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë.

Kjo deklaratë e ambasadorit amerikan, ka ngjallur reagime të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës.

Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se duket që ambasadori Hill ka vendosur të rishkruajë historinë në përpjekjet e tij për ta sjellë Serbinë në ‘binarë’.

“Ndërhyrja nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’. Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”, ka shkruar ajo në një postim në Twitter.

Edhe kryeministri Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur tërthorazi ambasadorit Hill, në pritjen që e organizoi sot në Qeverinë e Kosovës, për nder të 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Kurti ka thënë se “askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd", përcjell Bota sot.

"Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 marsi është një ditë e madhe, çdo vit”, ka thënë kreu i ekzekutivit të Kosovës.

Kryeministri Kurti me këtë rast, ka shprehur mirënjohje e falënderim ndaj çdo vendi anëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës.

“Aleatët në qiell, aeroplanët miqësorë lart, ikja e trupave armike, kështu dukej shpresa e popullit atëherë, për përfundimin e luftës dhe ardhjen e lirisë dhe paqes.

Në këtë ditë falënderojmë çdo vendanëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e vendit tonë.

24 vjet më parë në këtë ditë unë vetë u mbusha 24 vjeç, që është gjysma e jetës sime sot. E sa herë që në burg më pyesnin për datën e lindjes, përgjigja ime nuk ishte menjëherë e besueshme dhe supozohej se ishte një provokim. Prandaj, unë festoj në një mënyrë të dyfishtë që atëherë”, ka thënë Kurti, në eventin që u mbajt në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat