​Osmani dhe Escobar presin rezultat pozitiv në Ohër

Aktuale

​Osmani dhe Escobar presin rezultat pozitiv në Ohër

Më: 17 mars 2023 Në ora: 11:52
Foto nga vendngjarja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret rezultat pozitiv në takimin e nesërm në Ohër, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Mirëpo, ajo theksoi se çdo tendencë e Serbisë për të penguar marrëveshjen përmes kushtëzimeve e dëmton dialogun.

Pas takimit me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për dialogun, Gabriel Escobar të premten, Osmani, tha se Kosova angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe qasje konstruktive.

Osmani: Kosova shkon drejt Ohrit me shpresë për një rezultat pozitiv

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe qasje konstruktive, siç ka bërë për gjatë gjithë këtij procesi dhe sidomos tani duke kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet takimi në Ohër. Ne besojmë fortë se një marrëveshje e drejtë, qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjate, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe shpresë për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për të penguar këtë rezultat përmes kushtëzime mund të dëmtojë pastaj tërësisht procesin e dialogut”, tha ajo.

Në konferencën për medie, Osmani tregoi pritjet e saj për marrëveshjen me Serbinë në bazë të planit të Bashkimit Evropian, ku tha se e njëjta do t’i sjell rezultate konkrete dhe të prekshme Kosovës.

Osmani: Marrëveshja do të sjell rezultate konkrete për Kosovën

“Pritshmëria si presidente e Republikës është se marrëveshja do të sjell rezultate konkrete të prekshme për Kosovën, rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucione euro-atlantike. Do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës. Kjo do të rezultojë pastaj me shpërbërjen efektive të menjëhershme të gjitha strukturave ilegale të Serbisë. Po ashtu kjo marrëveshje përfshinë parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare që do të shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke”, shtoi presidentja Osmani.

Në anën tjetër, ajo tha se marrëveshja bashkë me aneksin e zbatimit duhet të miratohen në Kuvend, ku përmendi nevojën edhe për konsensus brenda partive politike.

Ajo nënvizoi sërish se rendi kushtetues, integriteti territorial, sovraniteti dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës duhet të ruhet në çdo proces negociator.

Osmani: Marrëveshja bashkë me aneksin e zbatimit të miratohen në Kuvend

“Është me rëndësi të përsërisë që rendi kushtetues i Kosovës, integriteti territorial, sovraniteti i vendit dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator...Është thelbësore që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e zbatueshme dhe po ashtu të mbështetet nga populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ne do të vazhdojmë të punojmë që të ndërtohet konsensus për gjithë spektrin politik në vend dhe për të siguruar që marrëveshja pasi të nënshkruhet së bashku me planin e zbatimit të miratohet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë transparente dhe demokratike, si dhe zbatimi i plotë i saj të bëhet në mënyrë efektive”, theksoi Osmani.

Ndërkaq, edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u shpreh optimist për rezultat pozitiv në Ohër.

Ai theksoi se propozimi evropian është mundësi e jashtëzakonshme paqeje, ndërsa ka shtuar se SHBA si mbështetëse kryesore e Kosovës do që kjo të funksionojë për Kosovën.

Escobar: Jam optimist për rezultate pozitive në Ohër

“Mirëpres takime shumë produktive në Ohër bashkë me presidenten e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës. Ne kemi qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësinë për Kosovën dhe Serbisë dhe anëtarët të tjerë të rajonit që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euro-atlantik. Mendojmë së propozimi evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së ofron një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve të rajonit. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe tërë rajonit. Të zhbllokohen disa prej atyre burimeve më të mira që Ballkani ia siguron vetës dhe krejt Evropës. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira”, tha ai.

Gjatë qëndrimi të tij në Kosovë, Escobar takoi edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Dje ai ishte në Serbi, derisa pritet të jetë edhe nesër në Ohër, në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ku pritet të diskutohet për propozimin e BE-së për dialogun dhe zbatimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat