Hovenier tregon nëse Serbia do të detyrohet ta largojë Kosovën nga Kushtetuta e saj

Aktuale

Hovenier tregon nëse Serbia do të detyrohet ta largojë Kosovën nga Kushtetuta e saj

Më: 15 mars 2023 Në ora: 22:22
Jeff Hovenier

Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier ka treguar nëse Serbia do të jetë e detyruar për ta larguar Kosovën nga Kushtetuta e saj.

Sipas tij, kjo është një pyetje e vështirë.

“Ju keni parë tekstin me njëmbëdhjetë pikat, apo njëmbëdhjetë nenet për të cilat ka pasur pajtim, ashtu siç kam parë edhe unë, unë nuk kam parë ndonjë adresim të kësaj çështjeje [se a do të obligohet Serbia ta largojë Kosovën nga kushtetuta e saj] në këto 11 pika, andaj nuk besoj se ai ka qenë një element specifik i bisedimeve aktualisht”, tha ai, në një organizim bashkë me disa gazetarë në Prishtinë.

“Por ajo çfarë do të thosha është vizioni afatgjatë. Dua ta përsëris se çfarë është vizioni afatgjatë amerikan dhe evropian për Kosovën: që është ta shohë atë të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Serbia gjithashtu e ndan këtë qëndrim. Ashtu siç e kuptoj unë, Serbia ka interesim të madh që të anëtarësohet në Bashkim Evropian, të paktën kjo është aspirata e deklaruar”, shtoi Hovenier.

Ai shpjegoi se një nga kriteret që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian është që ta njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran.

“Unë nuk jam diplomat evropian, por me sa kam kuptuar unë nga kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mendoj se në kapitullin 35, Serbisë do t’i kërkohej që si kusht për t’u anëtarësuar në BE, ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Unë i besoj tërësisht BE-së. Si do të ndodhë kjo dhe me çfarë procesi dhe cili është mekanizmi nëpërmjet të cilit Serbia do ta bëjë këtë, është e vështirë për mua ta them. Fokusi ynë tani është për këtë hap të përkohshëm, që ripozicionon këtë marrëdhënie në një vend më pozitiv dhe të qëndrueshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat