Nis mbledhja e mbeturinave në Prishtinë

Aktuale

Nis mbledhja e mbeturinave në Prishtinë

Më: 15 mars 2023 Në ora: 10:37
Mbeturinat e shpërndara jashtë kontejnerëve në Prishtinë. 14 mars 2023.

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” kanë nisur mbrëmë mbledhjen e mbeturinave në Prishtinë.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se “ekipet kanë dal në teren për të vazhduar me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave” dhe se kryerja e shërbimit të mbeturinave do të vazhdojë sipas planit dhe orarit të rregullt operativ.

Punëtorët kanë hyrë në grevë më 13 mars, me kërkesë për rritjen e pagave të punonjësve fizikë në 400 euro, të cilat aktualisht janë 330 euro.

Florim Cakiqi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve në këtë kompani tha se kanë dalur në terren për t’i mbledhur mbeturinat “për shkak të qytetarëve”. Ai tha se gjatë ditës së mërkurë u është premtuar se do të mirret vendimi për rritjen e pagave.

Arbnora Ademi, zëdhënëse e Kompanisë “Pastrimi” i tha dje Radios Evropa e Lirë, se menaxhmenti i kompanisë është duke e shqyrtuar kërkesën.

Të martën, kontejnerë të shumtë në Prishtinë ishin mbuluar nga mbeturinat.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi", numëron 863 punëtorë, duke përfshirë edhe administratën.

Kjo kompani ofron shërbime në gjashtë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin Prishtinën, pastaj në Fushë Kosovë, Lipjan, Drenas, Obiliq dhe Podujevë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat