Ambasadori i Italisë: Kosova dhe Serbia mund të bëjnë një kthesë historike, njohja de jure në një kohë tjetër

Aktuale

Ambasadori i Italisë: Kosova dhe Serbia mund të bëjnë një kthesë historike, njohja de jure në një kohë tjetër

Më: 9 mars 2023 Në ora: 21:55
Antonello De Riu

Italia ka rritur angazhimin e saj në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke i mbështetur të dyja shtetet që ti normalizojnë raportet mes njëra tjetrës.

Madje ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, vlerëson se palët mund të bëjnë një kthesë historike.

Prandaj, ai po shpreson se do të arrihet një marrëveshje në takimin e ardhshëm që do të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Në periudhën e fundit ne kemi rritur angazhimin tonë edhe në aspektin politik, ku po e mbështesim fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, tani po shpresojmë se do të bëhet një kthesë historike në raportet mes të dyja vendeve. Ndërmjetësuesi Lajçak ka ardhur sot në Prishtinë më pas do shkojë edhe në Beograd, ai po angazhohet seriozisht që në Samitin e Ohrit do të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Tani po presim se çfarë rezultati do të kemi në atë Samit, negativ apo pozitiv”, deklaroi De Rui.

Në planin evropian nuk përfshihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Por ambasadori italian thotë se për këtë çështje nuk duhet të ngre dyshime Qeveria e Kosovës, sepse ky proces do vazhdoj edhe më tutje.

“Në këtë proces dialogues caku ka qenë njohja reciproke mes dyja vendeve, por në muajt e fundit disa objektiva kanë ndryshuar. Megjithatë Qeveria e Kosovës nuk duhet të ngre dyshime tek komuniteti ndërkombëtar sepse ky proces do të vazhdojë dhe më tutje sepse qëllimi afatgjatë është njohja de jure e pavarësisë së Kosovës. Por në këtë fazë është e rëndësishme që Kosova të punoj në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dua ta them edhe një gjë, kjo marrëveshje do ta vë Kosovë në një pozitë më favorizuese sesa që është tani, do ti hapë rrugë për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare”, shtoi  ai.

Në takimin e fundit në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e pranoi se ishte i gatshëm ta nënshkruante marrëveshjen me Serbinë për planin evropian, por një gjë të tillë refuzoi të bënte Presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Këto komente ambasadori i bëri pas vizitës në kompaninë e mobilieve “Amre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat