Detaje tronditëse nga dosja e të dyshuarëve për fajde, “lojë” me miliona euro!

Aktuale

Detaje tronditëse nga dosja e të dyshuarëve për fajde, “lojë” me miliona euro!

Më: 5 mars 2023 Në ora: 18:27
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit për 14 të dyshuarit e arrestuar për fajde. I vetmi që nuk është dërguar në paraburgim për shkak të arsyeve shëndetësore është pronari i Auto sallonit “Alberti”, Skender Bajrami, të cilit gjykata ia ka caktuar masën e ndalimit të ofrimit vendit ose personit të caktuar.

Të dyshuarit që janë dërguar në paraburgim nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të “Fajdës” si dhe “Shmange nga tatimi” janë Besnik Salihu, Fadil Salihu, Egzon Salihu, Ardi Saraqi, Shefik Rexhepi, Lindrit Haradinaj, Ramiz Ademi, Mujë Ademi, Kadri Gerbeshi, Ajvaz Muzaqi, Bashkim Osmani, Bahri Abazi, Nexhmi Abazi dhe Shukri Haxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi” nga burimet brenda Gjykatës Themelore të Ferizajt ka siguruar dosjen ku flitet për miliona euro të përfituara përmes fajdes dhe shmangja nga tatimi nga të dyshuarit e lartcekur.

Dy biznesmenët e njohur të dyshuar për fajde

Në mesin e të pandehurve në këtë rast janë Shefik Rexhepi, pronar i ndërmarrjes tregtare “Euro-Ab”, si dhe Bashkim Osmani, pronar i ndërmarrjes prodhuese “Dona Liberion”, të cilët po dyshohen për veprën penale të fajdes.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, ekziston dyshimi i bazuar se në fund të vitit 2021, të pandehurit Shefik Rexhepi, si pronar i ndërmarrjes tregtare “Euro-Ab”, si dhe Bashkim Osmani, si pronar i ndërmarrjes prodhuese “Dona Liberion”, në bashkëkryerje me të pandehurin Gëzim Sinani, kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit A.H.

Në kërkesë thuhet se i dëmtuari A.H, duhej të paguante një obligim financiar për një objekt ndërtimor, mirëpo për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, si dhe pamundësisë që të marrë kredi në bankat komerciale, është detyruar të kërkoj para nga Gëzim Sinani.

Në kërkesë thuhet se ky i fundit, paratë i kishte siguruar nga të pandehurit, ku nga i pandehuri Shefik shumën prej 400 e 30 mijë euro, kurse nga i pandehuri Bashkim shumën prej 500 e 50 mijë euro, të cilat ia ka dhënë të dëmtuarit, duke kontraktuar një shumë të parave prej 98 mijë euro, të cilën duhet ta paguante në çdo muaj si fajde.

Kështu, i dëmtuari për njëmbëdhjetë muaj kishte pësuar dëm në shumën prej 1 milion e 100 mijë euro në emër të fajdes, mirëpo pagesat e kësteve tjera mujore ishin ndërprerë për shkak të arrestimit të të pandehurve Gëzim dhe Salih Sinani, kurse borxhi kryesor ka mbetur në shumë prej 900 e 20 mijë euro.

Me këtë do të kenë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, në kërkesën për caktimin e paraburgimit, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020, i pandehuri Shefik si pronar i ndërmarrjes tregtare “Euro ab”, në bashkëkryerje me të pandehurin Gëzim Sinani, kanë kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit Xhevdet Shala.

Sipas kërkesës, i dëmtuari Xhevdet Shala për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, si dhe pamundësisë që të marrë kredi në bankat komerciale, është detyruar të kërkojë para nga Gëzim Sinani, i cili paratë i kishte siguruar nga i pandehuri Shefik Rexhepi.Paratë i kishte siguruar në atë mënyrë që ka kontraktuar armaturë në vlerë rreth 500 mijë euro, me fajde nga 2 mijë euro për kamion dhe 10 centë më shtrenjtë për kilogram të armaturës, të cilën e kanë shitur tek personat e tretë, kurse paratë i ka marrë i dëmtuari Xhevdet Shala për t’i paguar fajdet, ndaj personave të tretë, kështu që borxhi i tij ka arritur mbi 1 milion euro.

Tutje, në kërkesë thuhet se i dëmtuari Xhevdet Shala për t’i paguar borxhin dhe fajdet të pandehurit Shefik Rexhepi, është detyruar të marrë kredi në bankë, të cilat para pastaj janë transferuar në llogarinë e ndërmarrjes për prodhimin e betonit “Ima sh.p.k”, e cila është pronë faktike e të pandehurit Gëzim Sinani.

Në këtë mënyrë i dëmtuari Xhevdet Shala ka pësuar dëm pasuror në vlerë rreth 500 mijë euro.

Me këtë rast thuhet se i njëjti dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Më tej, në pikën e dytë të kërkesës për caktimin e paraburgimit, për të pandehurin Bashkim Osmani, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në fund të vitit 2021, i pandehuri Osmani si pronar i ndërmarrjes prodhuese “Dona Liberion”, e në bashkëkryerje me të pandehurin Gëzim Sinani, kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit Naim Berisha.

I dëmtuari, sipas kërkesës, si pronar i ndërmarrjes tregtare “Berisha Commerce”, për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19 si dhe pamundësisë që të marrë kredi në bankat komerciale, për një projekt ndërtimi, është detyruar të kërkoj para nga Gëzim Sinani.

Ky i fundit, paratë i kishte marrë nga i pandehuri Bashkim në shumë prej 200 mijë euro, të cilat ia ka dhënë të dëmtuarit, duke kontraktuar një shumë të parave prej 12 mijë në muaj si fajde, prej të cilave 8 mijë i ka marrë i pandehuri Bashkim, kurse 4 mijë i pandehuri Gëzim.

Tutje, në kërkesën për caktimin e paraburgimit, për të pandehurin Bashkim Osmani, thuhet se i dëmtuari Naim Berisha, në pamundësi që t’i paguaj shumat e parave në emër të fajdeve, është detyruar t’i marrë edhe 200 mijë euro me kushte të njëjta, kështu që borxhi i të dëmtuarit kishte arritur shumën prej 1 milion 96 mijë euro.

Kështu, i dëmtuari është detyruar të marrë një kredi në “Ish Bank”, në shumë prej 700 mijë euro, të cilat ia ka dhënë të pandehurit Gëzim dhe një banesë në vlerë prej 70 mijë, duke pësuar një dëm pasuror në shumë rreth 300 e 30 mijë, kurse pjesa tjetër ka mbetur e pa paguar.

Me këtë rast ata dyshohen të kenë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Fajdeja”, nga neni 331 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimi për Drejtësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat