U diskutua për propozimin e BE-së, krejt çka ndodhi në takimin e “nxehtë” Kurti-Vuçiq në Bruksel

Aktuale

U diskutua për propozimin e BE-së, krejt çka ndodhi në takimin e “nxehtë” Kurti-Vuçiq në Bruksel

Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 08:17
Albin Kurti dhe Josep Borell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell ka reaguar mbrëmë vonë përmes rrjeteve sociale pas takimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se do të ketë edhe një takim mes Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për aneksin e planit evropian.

“Marrëveshja është mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë. Gjatë muajit mars do të thërras një takim tjetër mes dy liderëve me qëllim finalizimin e diskutimeve për aneksin e zbatimit, i cili do të drejtojë fazën e zbatimit të Marrëveshjes”, ka shkruar Borrell.

Kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar edhe në rrjete social pas përfundimit të takimit në Bruksel. 

Kurti ka thënë pas takimit se janë në rrugë të mirë për arritjen e marrëveshjes dhe arritjes së fqinjësisë së mirë evropiane, për medie pas takimit, ndërsa në Tëitter ka thënë se të dy palët janë pajtuar për planin evropian. 

“Ramë dakord të dy për Propozimin e BE-së të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe SHBA-ja. Unë ofrova të nënshkruaja zyrtarisht, por Serbia nuk ishte gati. Së shpejti do të vijojnë negociatat për zbatimin”, shkroi ai. 

“Falënderoj Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak”

Kurti tha se është “dëm” që nuk u nënshkrua ai dokument menjëherë.

“Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për nënshkrim. Unë kam shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar dhe fundja nuk do të ishte teksti i parë që nënshkruhen një kryeministër i Kosovës dhe kreu i Serbisë”, ka deklaruar ai.

“Unë mendoj që është dëm që nuk u nënshkrua sonte, meqenëse u pajtuam. Konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar, do të duhej të rezultonte me nënshkrim, por ishte pala serbe që nuk e nënshkroi meqenëse u pajtua”, ka thënë tutje ai.

Kurti po ashtu paralajmëroi se dokumenti i Planit do të publikohet së shpejti. 

“Plani i zbatimit do të jetë se si të përkthehet në terren në realitetet e dy shteteve dakordimi për propozimin evropian.  Unë besoj që është koha të mos jap interpretime dominuese, pikërisht në momentin që ky tekst do të lexohet nga të gjithë, por është marrëveshje që plotësisht vendos barazinë mes palëve, e simetrisë dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë në mënyrë demokratike dhe të ardhme. Tekstin e dakorduar do të mund ta lexoni që të gjithë”, ka thënë në fund Kurti.

Por ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ka thënë se ka insistuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por që në fund nuk kanë arritur tek marrëveshja. 

“Kurti refuzoi që ta krijojë Asociacionin. Nuk do të ketë marrëveshje pa krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përmban gjithsej 11 nene.

Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:

Palët e dakorduara,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët zotohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit si aneks të kësaj Marrëveshjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat