Shoqata Sindikale e IML-së: Deklaratat e papërgjegjshme të politikanëve po dëmtojnë imazhin e institutit

Aktuale

Shoqata Sindikale e IML-së: Deklaratat e papërgjegjshme të politikanëve po dëmtojnë imazhin e institutit

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 12:39
Mjeket

Shoqata Sindikale e Institutit të Mjekësisë Ligjore ka theksuar sot se deklaratat e papërgjegjshme të politikanëve po dëmtojnë imazhin e institutit.

Në reagimin për media të Shoqatës Sindikale të IML thuhet se nuk do të bien pre e shantazheve dhe presioneve.

“Ne, Shoqata Sindikale e IML-së, të shqetësuar jashtë mase për krijimin e një opinioni negativ në lidhje me Institutin për Mjekësi Ligjore, nga deklaratat e shumta të papërgjegjshme, kryesisht të politikanëve të partive të ndryshme informojmë opinionin publik se në Institutin për Mjekësi Ligjore marrëdhëniet nderkolegiale nuk janë as më të mira e as më të këqija se në Institucionet tjera shtetërore. Prandaj, deklaratat e tilla i dënojmë fuqimisht duke i konsideruar dashakëqija dhe me skenarë ogurzeza në drejtim të prishjes së imazhit profesional dhe hakmarrjes personale ndaj veprimeve ligjore sindikale dhe Shoqatës sonë”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se kundërshtimet e tyre përmes rrugëve ligjore garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe këto kundërshtime kanë të bëjnë me shkeljet e ndryshme ligjore për të cilat janë duke u zhvilluar procedurat normale ligjore.

“Ne konsiderojmë se veprimet ligjore në raport me shkelësit e ligjit të deponuara me rrugë zyrtare dhe ligjore nuk paraqesin raporte te këqija ndër kolegiale, përkundrazi janë rruga e vetme zyrtare dhe ligjore në zbardhjen e së vërtetës, cilado që të jetë ajo, dhe se epilogun e veprimeve ligjore nuk mund ta përcaktojnë politikanët dhe as grupet e ndryshme të interesit, përveç organeve përkatëse ligjore, si Prokuroria dhe Gjyqësia.

Në këtë rrafsh është duke u tentuar të krijohet opinioni se shkelësit e ligjit na qenkan viktima dhe se çdo informatë apo shkresë ligjore për shkeljet ligjore të zyrtarëve të caktuar të konsiderohet si lloj shantazhi apo presioni ndaj Ministrisë apo zyrtarëve të caktuar brenda Ministrisë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Shoqata më tej vlerëson se marrë parasysh reagimet e tilla në opinionin publik, të cilat i konsiderojnë shantazhe dhe presione të pakuptimta në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre zyrtare sindikale, do të vazhdojnë të respektojnë vetëm Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin aktual, përmes të cilave shprehen të bindur se janë duke e ruajtur Institutin nga shkelësit e ligjeve.

“Shoqata Sindikale e IML-së, konform statutit të saj, nuk do të bie pre e shantazheve dhe presioneve të tilla përmes opinionit publik dhe se deklaratat dhe informatat tona do të vazhdojnë përmes rrugëve ligjore në drejtim të mbrojtjes së integritetit profesional dhe njerëzor, të secilit anëtar sindikal, duke ftuar publikisht për bashkëpunim organet e drejtësisë në luftimin e çdo shkelje ligjore në Institutin për Mjekësi Ligjore”, thuhet në reagim.

Shoqata fton organet e drejtësisë që të ndërmarrin masat adekuate ligjore ndaj të gjithë individëve të cilët përhapin dezinformata me qëllime të caktuara, duke shkelur çdo normë ligjore dhe njerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat