​Sejdiu: Për planin franko-gjerman duhet pajtueshmëri ndërmjet pozitës dhe opozitës

Aktuale

​Sejdiu: Për planin franko-gjerman duhet pajtueshmëri ndërmjet pozitës dhe opozitës

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 17:47
Fatmir Sejdiu

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në prag të 15-vjetorit të pavarësisë, sot kujtoi kohën kur është zgjedhur president i Kosovës. Ai u shpreh se e ka pasur fatin dhe privilegjin që në rrethana të vështira të marrë pozitën e presidentit. Këto dhe deklarata të tjera, Sejdiu ibëri gjatë ligjëratës së organizuar nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, me temën “Kosova 15 vjet shtet – Sfidat e shtetndërtimit”.

Sejdiu, fillimisht u ndal në periudhat e mëhershme, me të cilat është përballur populli i Kosovës.

Ai tregoi edhe për vështirësitë për fillimin e një bisede, ku qëllimi kryesor ishte njohja dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Sejdiu: Ky ishte paralajmërimi se shteti i Kosovës po bëhej

Grupi i kontaktit nxjerr tre pikat e fillimit nëntorit të 2005, që thelbi kryesor i tyre ishte; nuk ka kthim të Kosovës në gjendjen e vitit 1999, ishte përgjegjia e parë që jepej për pozitën e rezulutës 1244, nuk ka ndryshim të territorit të Kosovës dhe nuk ka bashkim të Kosovës me dikë tjetër, kjo në gjuhën juridike, politike, filozofi, ishte paralajmërimi se shteti i Kosovës po bëhet.”, tha ai.

Sejdiu u shpreh se ka marrë pozitën e presidentit të vendit në situata të vështira.

Sejdiu: Ahtisari më pa të shqetësuar, unë kam moshë dhe nuk kam ardhur për të luajtur

“Unë kam pasur fatin dhe privilegjin që në rrethana të vështira të marrë pozitën e presidentit. Në një situatë edhe të vështirë edhe të lehtë. E vështirë për mua ishte sprova me temën e madhe të drejtpërdrejtë, sikur i bije të futesh në zjarr pa u përgatitur fare për të qëndruar. E lehtë ishte se ishte shtruar rruga për konceptin themelor që Kosova do të prezantojë, që Kosova do ta mbrojë dhe që Kosova do ta mbërrijë. Kam qenë në grupin politik-strategjik, dhe kjo më lehtësonte punën. Të them të drejtën, kisha trembje pak. Ditët e para, sepse çdo fjalë duhej të shkonte për teh shpate. I’a quaj për nder presidentit Ahtissari që më ka dhënë kurajën në takimin e dytë kur ka qenë. Unë po e shoh se po shqetësohesh por mos harro se je më i përgatitur se unë kur kam marrë mandatin e presidentit, dhe e dyta fjalë që ma thotë është unë kam moshë, nuk kam ardhur për të luajtur.”, tha Sejdiu.

Ai u shpreh se ka qenë një bindje se Kosova nuk ka potenciale as politike, as diplomatike karshi përballjes me Serbinë, “e cila ka një traditë të hershme të shtetit”.

Ish-presidenti vijoi se gjatë periudhës në përballje, dy kanë qenë proceset themelore: Kosova donte të qeveriste vetëveten, Serbia dëshironte të qeveriste Kosovën.

Ndër të tjera, ai kujtoi takimin në OKB me Marti Ahtisaarin, të vitit 2006, dhe u shpreh se në atë kohë qenë e pamundshme të nxirret rezolutë dhe të marrë karakterin ndërkombëtar të mbështetjes nga ana e Këshillit të Sigurimit.

Por, tha se ka pasur mbështetje morale të fuqive kryesore.

Sejdiu: Në takimin e Këshillit të Sigurimit në 2006 ishte e pamundshme të nxirret rezolutë, por pati mbështetje morale

“Në shtator të vitit 2006 kam pasë takim në Këshillin e Sigurimit në OKB, në fakt ishte në një zyre krejt tjetër me presidentin Ahtisaari dhe me Frank Visnerin dhe biseda ka qenë në këtë fjali kyçe: Unë po përmbylli procesin, palët s’po pajtohen, ideja e Sarkozit do të vijë pak më vonë, a jeni të kënaqur me Pavarësinë e Kosovës së mbikëqyrur për një periudhë caktuar, domethënë kohore. Nuk kom pasë dilema ju lutem, unë kisha mendimin edhe të kolegëve, nuk kom pasë dilemë se do të jetë kjo fazë e përcjelljes, e cila ka përfunduar me fazën e mëvonshme me Piter Faith-in, në 12-shin. Ishte punë që kapërcen si ujtë nën urë që shkin e s’ndalet dhe atëherë ka dhënë atë propozim, ai propozim i është përcjell sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Monit dhe ka qenë reagimi i tij i shkëlqyeshëm nëse e kujtoni reagimin e parë, po ka qenë e pamundshme të nxirret rezolutë dhe të marrë karakterin ndërkombëtar të mbështetjes nga ana e Këshillit të Sigurimit, por merr karakterin e mbështetjes morale të fuqive kryesore që na kanë mbështetë. Kjo është tepër e rëndësishme.”, tha ai.

Ish-presidenti i Kosovës, ndër të tjera foli edhe për planin franko-gjerman, për të cilin tha se ka qenë “edhe atëherë, franko-gjerman përkatësisht gjerman apo modeli i dy Gjermanive thënë shkurt shqip”.

Sejdiu: Plani franko-gjerman si ide është prezantuar edhe atëherë

“Ky projekt që është prezantuar tash, ka qenë si ide që është prezantuar edhe atëherë, jo i debatuar e thash, franko-gjerman përkatësisht gjerman apo modeli i dy Gjermanive thënë shkurt shqip. Don studim, është bazë e qëndrueshme, don studim, don një unison të të gjithë faktorëve të pozitës dhe të opozitës në Kosovë për të marrë një vendim të pjekur për të ecur përtej. Don koherencë me qëndrimet me insistimin dhe studim natyrisht të mbështetësve të Kosovës.”, tha ai.

Ish-presidenti Sejdiu shtoi se temat e mëdha mund të hapen gjithmonë më vonë.

Ai tha se Serbia është ulur në karrigen e turpit me gjithë atë që ka bërë.

Sejdiu shtoi se politika e Slobodan Millosheviqit është në gjuhën e Aleksandar Vuçiqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat