Akuzoi Kurtin e Haxhiun për zhdukjen e mostrave, reagon Tomë Gashi, ja hapat që ndërmori ndaj Haki Abazit

Aktuale

Akuzoi Kurtin e Haxhiun për zhdukjen e mostrave, reagon Tomë Gashi, ja hapat që ndërmori ndaj Haki Abazit

Nga: N.E. Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 12:40
Tomë Gashi

Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, ka reaguar pas akuzave të deputetit Haki Abazi se ekzistojnë video incizime që dëshmojnë zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Gashi ka thënë se në prokurori kanë paraqitur kërkesë për marrje në pyetje të tij në cilësinë e dëshmitarit.

Sipas avokatit, Abazi ka borxh ndaj Astrit Deharit dhe obligim ligjor që të dëshmojë dhe t’i dorëzojë të gjitha provat që ai pretendon se i ka në prokurori e që kanë të bëjnë me rastin e zhdukjes së mostrave biologjike dhe të gjakut të Astrit Deharit.

“Z.Haki Abazi dorëzoi provat në Prokurori! Pas prononcimeve të deputetit të Republikës së Kosovës z.Haki Abazi, kam paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për marrjen në pyetje të tij në cilësinë e dëshmitarit. Z. Haki Abazi e ka borxh ndaj Astrit Deharit dhe e ka obligim ligjor që të dëshmojë dhe t’i dorëzojë të gjitha provat që ai pretendon se i ka në Prokurori e që kanë të bëjnë me rastin e zhdukjes së mostrave biologjike dhe të gjakut të Astritit, të cilat jane zhdukur nga Instituti i Mjeksisë Ligjore në Prishtinë e që për zhdukjen e tyre është bërë e ditur para 2 muajve. Deputeti z.Abazi ka deklaruar se ka bërë një hulumtim dhe se sipas tij ekzistojnë video-incizime me të cilat ”dihet qarte se kush ka hyrë tek frigoriferi” në Institutin e Mjeksisë Ligjore. Askush nuk mund të intervistohet para se të intervistohet z.Haki Abazi”, ka shkruar Gashi.

Haki Abazi në një konferencë për media tha se ekzistojnë video incizime që dëshmojnë zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Ai ka akuzuar rëndë partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari.

Deputeti i VV-së thotë se edhe kryeministri Albin Kurti e Ministrja Haxhiu duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për rastin.

“Video incizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Pytjet e mia që kam shtruar dhe diskutimet që kam berë, kanë sjellur te shkarkimi dhe anatemimi brenda VV-së. Shkarkimi im është minor, kundrejt borxhit që kemi me sqaru çka ka ndodh me rastin e Astrit Deharit. Si është e mundur që në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat, dhe Kurti të mos e thotë asnjë fjalë për këtë çështje. Nuk mund të rrim të heshtur përballë një procesi të tillë. Instituti i Mjekësisë ligjore është i monitoruar 24 orë, dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera”, tha Abazi në konferencë para gazetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat