Bislimi tha se BE-ja ka vërejtje në dy nga gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin, kryeministri: S’jam në dijeni

Aktuale

Bislimi tha se BE-ja ka vërejtje në dy nga gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin, kryeministri: S’jam në dijeni

Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 14:49
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të mërkurën se nuk është në dijeni që Bashkimi Evropian ka vërejtje në dy nga gjashtë kushtet e vendosura nga ai për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse një gjë të tillë e ka deklaruar ditë më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Në një deklarim për media, Kurti tha se do të takohet me Bislimin për të kuptuar se çfarë komunikimi ka pasur ai me vendet e BE-së.

“Unë nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë për dy nga gjashtë kushtet. Mbase duhet ta takoj e të shoh se çfarë komunikimi ka pasur me vendet e BE-së”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Ai tutje ritheksoi se gjashtë kushtet e vendosura mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Ndryshe, Bislimi gjatë një konference për media javën e kaluar ka deklaruar se BE-ja ka vërejtje në dy nga gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin, por nuk ka treguar se cilat janë ato.

“Bashkimi Evropian ka vërejtjet e saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe në cilat kanë vërejtje mund ta pyesin Lajçakun kur të jetë në Prishtinë”, ka thënë Bislimi.

E njërën nga këto vërejtje e ka zbuluar gjatë një interviste televizive deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj. Ai ka thënë se BE-ja po e kundërshton kushtin e reciprocitetit.

“LVV përballë Serbisë ka vendosur që çështje e reciprocitetit te jetë në dialog. Pra nëse mund të ketë një Asociacion pa kompetenca ekzekutive dhe publike, e njëjta gjë duhet të jetë edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginë. Nëse 4% e popullatës serbe që jetojnë në Kosovë sot drejton 10 komuna në Kosovë dhe kanë 10 deputetë, ka ligjin e dyfishtë, derisa ka dyfishë më shumë shqiptarë në Luginë dhe ata nuk kanë të drejta në Serbi”, ka deklaruar Rexhaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat