Përfaqësuesit e mediave zvicerane dhe ndërkombëtare nga Gjeneva vizituan FSK-në

Aktuale

Përfaqësuesit e mediave zvicerane dhe ndërkombëtare nga Gjeneva vizituan FSK-në

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 09:08
Pamje nga takimi

Komanda e Gardës Kombëtare në Pomozotin, u vizitua nga ekipi i gazetarëve ndërkombëtarë nga Gjeneva, përfaqësues të mediave botërore të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë me rastin e 15-vjetorit te pavarrsise se Kosoves, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch

Gazetarët u mirëpritën nga Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Shemsi Syla, Komandanti i Gardës Kombëtare gjeneral brigade Naim Haziri, ushtrues detyre i Shefit të Shtabit, kolonel Ejup Maqedonci si dhe oficerë të FSK-së.

Para të pranishmëve fjalën e mori zëvendës ministri i Mbrojtjes z. Syla, i cili pasi u uroi mirëseardhje, i njoftoi me misionin e FSK-së ku theksoi “Kosova është një vend i vogël, me ushtri të vogël, por ushtria e jonë është e trajnuar mirë dhe e pajisur me standarde të NATO-s. Ne nuk jemi kërcenim për askënd, por mund të ndihmojmë çdokënd”.

Të pranishmit i përshëndeti edhe nikoqiri gjeneral Naim Haziri, i cili i falënderoj për vizitën në Kazermën “Evropianet e Rinj” dhe i njoftoi se Komanda të cilën ai udhëheq ka kapacitetet e plota operacionale për Mbështetje Ushtarake të Autoriteteve Civile.

Më pas gjeneral Haziri radhën i’a la kolonel Maqedoncit për t’i informuar në detaje me misionin, detyrat, sfidat dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kolonel Maqedonci para gazetarëve prezantoi partneritetin që FSK-ja ka me aleatët dhe misionet paqësore në të cilat FSK-ja mori pjesë, duke veçuar operacionin e Kërkim Shpëtimit në Republikën e Turqisë ku momentalisht operojnë trupat tanë.

Gjatë kësaj vizite ekipi i gazetarëve patë mundësinë që të njoftohet edhe me detyrat e Kompanisë së Deminimit, Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim Shpëtimit dhe të shohin nga afër kushtet në të cilat veprojnë dhe trajnohen pjesëtarët e FSK-së dhe ata ndërkombëtarë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që ekipi ndërkombëtar i gazetarëve të njoftohen me misionin, detyrat dhe kapacitetet e Ushtrisë së Kosovës, të cilat janë në dispozicion të paqes dhe sigurisë në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat