Kuvendi nuk e miraton raportin e Këshillit për Shërbimin Civil

Aktuale

Kuvendi nuk e miraton raportin e Këshillit për Shërbimin Civil

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 14:27
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës, sot nuk e miratoi raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021. Deputetët e partisë në pushtet votuan kundër këtij raporti, ndërsa ishin vetëm 3 vota për dhe 3 abstenime.

Raporti vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021 ishte shqyrtuar nga komisioni dy komisione, me ç’rast, ai për Buxhet rekomandoi miratimin e tij, ndërsa komisioni i Administratës Publike vlerësoi që i njëjti nuk duhet të miratohet.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Fitim Haziri tha se nuk e përkrahin këtë raport.

Haziri: Vetëvendosje nuk e miraton raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

“Gjithashtu grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do ta miratojë këtë raport, arsyeja e mosmiratimit të këtij raport i ka të bëjë me mosparaqitjen e informatave të duhura dhe përmbajtjesore në lidhje me atë se çfarë është paraqitur në këtë raport. Raporti është gjithsej 47 faqe ku 26 faqe prej tyre janë të mbushura me tabela sa që ta marrë mendja që je duke lexuar një raport statistikor e jo raport pune të njërit ndër këshillat më të rëndësishëm të shërbimit civil”, tha ai.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje raportit dhe sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë presion politik mbi këtë Këshill.

Veliu: Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka bërë punë të mirë pavarësisht presionit politik nga VV

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021 ka bërë një punë të mirë përkundër presionit të madh politik nga Lëvizja Vetëvendosje. Përkundër shkarkimit të atëhershëm duke shkelur Kushtetutën e Kosovës këshilli ka punuar shumë dhe ka realizuar planin e vet vjetor. Raporti i Këshillit është real me të dhëna të detajuara për çdo gjë duke prezantuar me tabela çdo ankesë e vendim”, tha deputeti i LDK-së.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku kritikoi partinë në pushtet që sipas tij, po degradon shërbyesit civilë.

Lushtaku: Pushteti po i degradon shërbyesit civil

“Po flasim për një metodologji që Vetëvendosja e ka sjell në Kuvend të Kosovës pikërisht për t’i degraduar shërbyesit civil, nëpunësit publik dhe këtë e kemi parë më së iri edhe me ligjin e pagave, me vlerën e koeficientit që në fund të ditës ka treguar që nuk i vlerëson, më shumë i vlerëson pozitat e ardhshme që do të vinë me ligjin që e kanë vetëvotuar, ligjin për zyrtar publik që do t’i zgjedhë pozitat e larta dhe është më shumë ligj për pozitat e larta që i akomodon militantët, sepse ligj që i promovon dhe mbështetë zyrtarët profesional. Së fundmi kemi parë edhe rekrutime fatkeqësisht edhe të grave të frizerave ku çdo ditë e më shumë me këtë qeverisje kemi shkelje flagrante ligjit të nëpunësve civil”, u shpreh ai.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj u shpreh se mazhoranca nuk është e interesuar për raportin, por sipas tij, synon të shkatërrojë punën e bërë tash e 20 vjet.

Lekaj: Pushtetit i intereson të shkatërrojë punën e bërë që 20 vjet

“Ju e dini që edhe shkarkimi i anëtarëve të këtij agjencioni të pavarur, institucioni të pavarur që me të vërtetë ka bërë një punë shumë të madhe sa i përket mbrojtjes së shërbyesve civil, janë shkakruar në mënyrë jo kushtetuese sot i kemi dy qëndrime nga po e njëjta mazhorancë. Kjo mazhorancë, apo kësaj mazhorancë nuk po i intereson mbrojtja e shërbyesve civil, nuk po u interesojnë institucionet e pavarura që janë ndërtuar që 20 vite por po ju intereson të shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar që 20 vite dhe mendoj që kjo është e palogjikshme dhe e paarsyeshme dhe ne si AAK do ta përkrahim raportin në fjalë sepse mendoj që ja vlen të përkrahet”, tha Lekaj.

E kryetari i Komisionit për buxhet, Armend Muja që është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, u shpreh se miratimi i një raporti ku ka vetëm ekzekutim pagash nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim në aspektin funksional.

Muja: Komisioni për buxhet nuk ka gjetur vërejtje në raportin e KPMShC

“Në një institucion si KPMShC ku 99% shpenzohet në rroga ne nuk kemi gjetë vërejtje dhe për këtë arsye e kemi miratuar. Por vërejtjet e njëjta në kuptimin funksional i kam edhe unë si deputet kështu që miratimi i një raporti ku ka vetëm ekzekutim rrogash nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim në aspektin funksional”, shtoi Muja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat