Dëmet e shkaktuara nga vërshimet, Kurti tregon si do të bëhet rimëkëmbja

Aktuale

Dëmet e shkaktuara nga vërshimet, Kurti tregon si do të bëhet rimëkëmbja

Më: 25 janar 2023 Në ora: 10:43 Përditësuar në ora: 13:23 më 25.01.2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti zotohet për mbështetje ndaj komunave të prekura nga vërshimet, kërkon hetim për dëmtim të ekosistemit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot u zotua se do t’iu qëndrojnë pranë komunave të prekura nga vërshimet.

Ai në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se janë duke bërë vlerësimet për dëmet e shkaktuara, por kërkoi edhe hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit.

Kurti: Komunave të prekura nga vërshimeve do t’i qëndrojmë pranë

“Dëmet janë të mëdha, ndërkaq rreziku nuk ka kaluar i tëri. Reagimi i institucioneve shtetërore ka qenë i shpejtë, solidariteti me njëri-tjetrin ka qenë i madh. Për fat të mirë pasojat janë vetëm materiale.

Si qeveri që nga momenti i parë kemi qenë në ndihmë të qytetarëve në zonat e përmbytura nga uji... Komunave, familjeve, bizneseve dhe qytetarëve nga zonat e prekura do t’iu qëndrojmë pranë përherë.

Ndihma nga Qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva, bashkë, do të ngritën”, theksoi ai.

Kurti shtoi përveç sanimit të dëmeve të shkaktuara, duhet të merren edhe me shkaktarët e këtyre vërshimeve, që sipas tij janë dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj dhe prerja ilegale e pyjeve.

Kurti: Duhet edhe hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit

“Tani, teksa po punojmë së bashku për të sanuar dëmet e shkaktuara, përveçse me pasojën, duhet të merremi edhe me shkaktarët e shkallës së vërshimeve. Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj, prerja ilegale e pyjeve dhe mungesa e pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhës, planifikimi jo i duhur i infrastrukturës publike, si dhe ndryshimet klimatike globale, padyshim që i kanë lehtësuar, shpejtuar dhe shpeshtuar përmbytjet në vendbanimet tona. Krahas vlerësimit të dëmeve, duhet të bëjmë edhe rivlerësim të sjelljes sonë karshi mjedisit dhe natyrës. Në të njëjtën kohë, të përmirësojmë edhe më shumë reagimin tonë dhe përgjegjësitë e institucioneve në parandalimin e tyre. Duhet edhe hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit. Nuk mjafton rimëkëmbja, nëse nuk nxjerrim mësime. Nuk mjafton tejkalimi i situatës, nëse ajo përsëritet. Na duhet ndërgjegjësim dhe mobilizim institucional dhe shoqëror”, deklaroi Kurti.

Javën e kaluar për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe vërshimeve janë përmbytur disa komuna të Kosovës.

Qeveria bartë të drejtën e shfrytëzimit të disa pronave në Rahovec për ndërtimin e një kapaciteti për energji të ripërtëritshme

Qeveria ka aprovuar propozim-vendimin për bartjen e të drejtës së shfrytëzimit dhe ndryshimit të disa pronave në komunën e Rahovecit.

Aty parashihet të ndërtohen 1 mijë e 350 megavatë kapacitete të reja të burimeve të ripërtishme të energjisë, kryesisht me erë por edhe solare.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se këto kapacitete pritet të ndërtohen në zonat kadastrale Kamovik dhe Petkoviq të Rahovecit.

“Këto kapacitete do të ndërtohen përmes procedurave konkurruese dhe transparente për të siguruar çmime sa më të ulëta të energjisë elektrike dhe e njëjta energji e prodhuar të shfrytëzohet për nevoja të konsumit brenda Kosovës”.

“Ankandi i parë për kapacitete solare në Kosovë në kapacitet prej 100 megavatë parashihet të mbahet këtë vit dhe ne kemi vendosur që ta shfrytëzojmë tokën publike për ndërtim të këtij kapaciteti”, është shprehur Rizvanolli, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ajo tha se tashmë qeveria ka pasur takime fillestare me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili sipas saj ka qenë bashkëpunues në këtë aspekt.

Qeveria ua vazhdon shtesat punëtorëve shëndetësore

Qeveria ua vazhdon shtesat punëtorëve shëndetësore

Qeveria ka vendosur që ta vazhdojë edhe këtë muaj ndarjen e shtesave prej 60 eurosh për punëtorët shëndetësorë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se po e marrin këtë vendim për të mbuluar hendekun deri në shkurt, kur pritet të ekzekutohen pagat e reja.

“Bëhet fjalë për vazhdimin e shtesës për punëtorët shëndetësorë, marrë parasysh që Ligji i Pagave pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, ndërsa shtesa ka qenë e paraparë deri në fund të vitit fiskal”, tha ai.

Riprocedohet në kuvend propozimi për masa emergjente për energjinë

Kuvendi i Kosovës kishte shtatë ditë që ta shqyrtojë propozimin e qeverisë për marrjen e masave emergjente për energji.

Meqë kjo nuk ka ndodhur me vendim të qeverisë, ky propozim kthehet edhe një herë në organin legjislativ.

“Arsyeja se pse po e votojmë prapë është se kuvendi ka pasë një javë për ta shqyrtuar.

Afati ka kaluar dhe jemi të detyruar ra riprocedojmë”, është shprehur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Qeveria merr vendim t’i ndajë shtesat për muajin janar për punëtorët e sektorit publik

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vazhdojë ndarjen e mjeteve për punëtorët e sektorit publik në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është shprehur se do t’i ndajnë nga 50 euro për ta.

Ai ka theksuar se Ligji për Paga hyn në fuqi nga muaji shkurt.

Ndaras kësaj mjete veçan janë ndarë për punëtorët shëndetësor, me vlerë 60 euro, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike.

Qeveria miraton Projektligjin për Liritë Fetare, Kurti: Qëllimi është ruajtja e pluralizmit

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Liritë Fetare.

Ky projektligj kaloi në mbledhjen e sotme të qeverisë me shumicë votash, ndërsa tre anëtarë të kabinetit abstenuan.

Në fjalën e tij, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se një ndër qëllimet më të rëndësishme të projektligjit është qëllimi për të ruajtur dhe promovuar pluralizmin fetar.

“Mendimet dhe besimet e ndryshme vazhdimisht po hyjnë e qarkullojnë lirshëm midis qytetarëve tanë. Pluralizmi i besimit, siç e kanë vërejtur shumë filozofë është një fakt i pandryshueshëm i një shoqërie demokratike. Projektligji në fjalë, do t’iu ofrojë bashkësive të ndryshme fetare mundësinë për tu regjistruar zyrtarisht".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat