Presidenca i reagon Vlora Çitakut

Aktuale

Presidenca i reagon Vlora Çitakut

Më: 20 janar 2023 Në ora: 15:35
Vjosa Osmani

Presidenca ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të flasë për vërshimet në disa komuna të Kosovës.

Në reagim thuhet se Presidenca ka qenë në kontakt me institucionet relevante që duhet t’i ofrohen qytetarëve.

“Që nga dita e djeshme, Presidenca vazhdimisht ka qenë në kontakt me institucionet relevante për t’u siguruar se ekziston mobilizim i plotë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në komunat e Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, në reagim thuhet që Presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë në mënyrë që të vlerësohet dëmi i bërë dhe të minimizohen pasojat në ekonomi familjare, biznese dhe në bujqësi.

Ndërkaq, deklaratën e Çitakut e ka cilësuar si absurde, duke thënë se e ka pasë në qëllim që ta sulmojë Osmanin.

“Presidentja çdo ditë punon për qytetarët e Republikës, ndaj deklaratat absurde, siç është kjo e znj.Çitaku sot, tregojnë se ka të tillë që pikërisht kur duhet të mbrohet interesi qytetar, nxiten nga interesa të ngushta me qëllim që ta sulmojnë Presidenten. Për dallim nga znj.Çitaku, Presidentja e vendit e di shumë mirë edhe kush janë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ku janë kufijtë e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani, gjithnjë është me qytetarët dhe punon gjithnjë për interesin e qytetarëve dhe të shtetit!”.

Pak më parë, Çitaku përmes një statusi në Facebook kishte kritikuar Osmanin.

“Në një gjendje edhe ashtu të rënduar ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës, banorët e Skënderajt, Mitrovicës, Klinës dhe Istogut u goditën edhe nga vërshimet. Dëmet për familjet e zonave të prekura duken të jenë shumë të mëdha. Fole ndonjë fjalë Presidente. Qytetarë të Republikës sonë janë edhe ata. Shpresoj që institucionet të mobilizohen dhe banorët e zonave të prekura nga vërshimet të ndihmohen financiarisht”, kishte shkruar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat