Walker nderohet në Pejë, vlerësohet kontributi i tij për Kosovën

Aktuale

Walker nderohet në Pejë, vlerësohet kontributi i tij për Kosovën

Më: 14 janar 2023 Në ora: 16:48
William Walker

Ambasadori William Walker, sot u nderua me titullin "Doctor Honoris Causa”. Ish-shefi i misionit të OSBE-së mori gradën më të lartë të doktorit të nderit nga Universiteti i Pejës "Haxhi Zeka", ku u tha se Walker me deklaratat e tij publike për masakrën në Reçak, ka bërë kthesë të madhe për historinë e Kosovës.

Kjo ceremoni u organizua në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut, ku janë vrarë dhe masakruar rreth 50 banorë të fshatit. Diplomati amerikan, William Walker u shpreh i nderuar me titullin, për çka tha se është krenar.

Walker: Jam shumë krenar që marrë këtë çmim sot

"Sot sinqerisht e ndiej veten shumë mirë të marrë një gradë nderi nga Instituti i Arsimit të Lartë "Haxhi Zeka". Jam shumë krenar që të marrë këtë çmim sot. Me kënaqësi të veçantë për mua që të udhëtojë nga Kalifornia që të marrë këtë çmim. Kjo po ndodhë sot në Pejë, njëri prej vendeve të pëlqyera në Kosovë. Albin Kurti, ministrat, Behgjet Pacolli do të dëshironin që të lindin në Pejë. Prej vizitës së parë në Kosovë prej viti 1999, asnjëherë nuk e kam lënë pa e vizituar Pejën", tha ai.

Ish-shefi i misionit të OSBE-së theksoi se tash e dy vjet nuk ka qenë në Kosovë dhe për këtë periudhë ka pasur shumë zhvillime.

Walker: Ndiej që jam shkëputur pak nga Kosova, ka pasur shumë ngjarje në ndërkohë

"Duke pasur parasysh që nuk kam qenë këtu për dy vite, ndiej që jam shkëputur pak nga Kosova dhe ka përjetuar shumë ngjarje në ndërkohë. Ngjarje dhe sfida të mëdha, një qeveri e re, personalitete të reja në krye të vendit, të cilët do të udhëheqin këtë vend. Udhëheqësia e re dhe fakti që ende duhet të testohet, derisa përpiqet ta bëjë një vend më të mirë, të gjithë ne presim që ta bëjmë. Kanë ndodhur trazira dhe ndër më të rëndësishmit në Ukrainë, qytetarët evropianë janë duke u përballur me shumë Reçak-a çdo ditë. Shpresoj që bota do të bëjë atë që është përpjekur ta bëjë, që të heqë qafe këta kriminelë dhe kjo është demonstruar që ëahtë duke u bërë", shtoi ai.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se ambasadori William Walker para se të jetë mik i Kosovës, është mik i së vërtetës. Ai u shpreh se misioni verifikues i OSBE-së ndihmoi në ndryshimin e përceptimit ndërkombëtar për UÇK-në.

Kurti: Walker është vërtet një mik i Kosovës

"William Walker është vërtet një mik i Kosovës, sepse mes njerëzve të vendit tonë janë të paktë qytetarët e huaj që janë kaq unanimisht të vlerësuar sikurse zotëri Walker. Në këtë pikë dua të them veçanërisht që ambasadori Walker është edhe miku im që nga koha e luftës, kur jemi takuar për herë të parë dhe jemi njohur në Prishtinë e deri më sot kur po ritakohemi sërish këtu në Pejë.... Kjo ushtri (UÇK) ishte krijuar si një lëvizje e armatosur guerile e Kosovës, e cili që nga viti 1945 ishte mbajtur dhunshëm nga Serbia në jugosllavinë e dytë. Në fillet e saj, duke qenë jo shumë e njohur për qëllimet dhe tekniket e saj, UÇK ishte klasifikuar ekstremiste e madje edhe si terroriste. Do të ishte pikërisht misioni verifikues i OSBE-së, ai që me raportimet e tij nga terreni do të ndihmonte në ndryshimin e përceptimit ndërkombëtar për UÇK-në", tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit u shpreh se në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, policia e Serbisë në Reçak ka vrarë e masakruar mbi 45 civilë shqiptarë, duke i lënë trupat e tyre në mes të malit.

Kurti: Asgjë s’e ka ndryshuar më shumë rrjedhën të ngjarjeve të luftës në Kosovë se jehona e masakrës së Reçakut

"Kur kreu i misionit vëzhgues në Kosovë William Walker arrinte të hynte në Reçak, ai pa trupat e 45 shqiptarëve të vrarë të këtij fshati, e në mes trupave të masakruar të këtyre 45 banorëve të fshatit e përballë gazetarëve, William Walker deklaroi “Nga ajo që pash nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si maskër dhe krim kundër njerëzimit”. Ky ishte mesazh i qartë dhe shumë i fuqishëm nga një ambasador i OSBE-së për gjithë popullin dhe komunitetin ndërkombëtar. Asgjë nuk e ka ndryshuar më shumë rrjedhën të ngjarjeve të luftës në Kosovë se sa jehona e masakrës së Reçakut... Ambasadori Wallker para se të jetë mik i Kosovës, ishte dhe është mik i së vërtetës. E duke qenë mik i së vërtetës mbetet përherë mik i Kosovës.”, shtoi Kurti.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se ky titull tregon për kontributin e jashtëzakonshëm të William Walkerit.

Nagavci: Walker e meriton titullin “Honoris Causa”

"Titulli Honoris Causa është titull i vjetër akademik, titull i nderit në qarqet akademike dhe shërben për të dalluar një kontribut të jashtëzakonshëm në një fushë të caktuar ose shoqëri. Ai (William Walker) e meriton këtë titull të lartë nderi, e ka rrezikuar edhe veten e tij dhe reputacionin e tij me frikën se si do të përballej e vërteta e thënë nga ana e tij. Jo vetëm pse ai sot e 24 vite më parë nëpërmes fjalëve i bëri të qartë botës se Serbia po kryente krime kundër njerëzimit në Kosovë", u shpreh Nagavci.

Rektori i Universitetit "Haxhi Zeka" në Pejë, Armand Krasniqi u shpreh se deklaratat publike të Walkerit pas masakrës në Reçak kanë bërë kthesë të madhe në historinë e diplomacisë ndërkombëtare.

Krasniqi: Përherë i përulemi rolit të Walkerit në ndryshimin e historisë së popullit tonë

"Sa herë kujtojmë e flasim për ju, qytetarët dhe institucionet e Kosovës me mendje e me zemër, përherë i përulen rolit tuaj në ndryshimin e historisë së popullit tonë. Fatmirësisht ju jeni diplomati i parë i ngarkuar me përgjegjësi ndërkombëtare, në cilësinë e shefit të misionit vëzhgues të OSBE-së që publikisht e zyrtarisht i treguat botës demokratike që Serbia po kryen krime kundër njerëzimit ndaj një popullate të pambrojtur, pa armotusur, civile shqiptare, kryesisht gra, fëmi e pleqë", tha ai.

Trupat e mbi 40 banorëve të Reçakut, janë të varrosur pak metra larg fshatit te Kompleksi Memorial. Në afërsi të kompleksit është e ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriu që për herë të parë, masakrën e Reçakut e ka cilësuar krim kundër njerëzimit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat