Gjon Boltoni e vulosi se udhëheqësit e Kosovës ishin pajtuar për ndarjen e shtetit!

Aktuale

Gjon Boltoni e vulosi se udhëheqësit e Kosovës ishin pajtuar për ndarjen e shtetit!

Nga: Idriz Morina Më: 12 janar 2023 Në ora: 22:23
Diplomati amerikan John Bolton

Nga kush erdhi ideja për ndarje të Kosovës? Për t’ju përgjigjur si nën breshëri, erdhi nga pushtimi i saj, pra nga vetë pushtuesit.

Sikur Serbia të mos e pushtonte Kosovën, kurrë nuk do të ishte folur për ndarje të saj. Por, kur ajo u pushtua, serbët, pasi nuk ia kishin dalur t’i vrisnin dhe dëbonin dhe t’i asimilonin të gjithë shqiptarët, siç kishin bërë me pjesët tjera të Dardanisë, duke nisur nga Beogradi, Nishi, Toplica, Kurshumlia... e deri tek Vraja, nga viti 1876 e deri në luftën e Parë Botërore, nuk kishin lënë më shqiptarë të gjallë andej.

Në fakt, serbët ende pa e bërë shtetin e tyre, e kishin projektuar zhdukjen e shqiptarëve me Garashanin elaboratin e tij famëkeq, “Naçertanje” (1844), për të vazhduar përforcimin e atij projekti me metoda të reja, dhe me mënyra të reja.

Millosheviçi tentoi përgjysmimin e shqiptarëve në Kosovë

Të parealizuara këto projekte mbetën deri në vitin 1998, kur Millosheviçi, pasi e kishte okupuar sërish Kosovën, me heqjen e autonomisë, rifilloi furishëm t’i zbatojë të gjitha planet për shfarosjen e shqiptarëve, apo që të paktën, në pamundësi zhdukje, kësaj here ta reduktonte në një shumicë krejtësisht relative të shqiptarëve, duke e përgjysmuar numrin e shqiptarëve.

Pasi këtë projekt tragjik e ndaloi Perëndimi, shqiptarët e fituan pavarësinë formale në vitin 2008. Por, ende para se të ndodhte kjo, një politikan i moderuar serb, që disa vende perëndimore e përkrahnin, kryeministër i Serbisë Zoran Gjingjiqi, i propozoi Perëndimit, që të ndahej Kosova, si një zgjidhje e pranueshme nga ajo.

Fati i tij, ishte tragjik, sepse u vra nga nacionalistët serb, ndërsa Kosova pat fatin, që të mos e përjetonte kokëçarjen me bisedime për projekte të atilla, veçmas, që tashmë sapo kishte dalur nga lufta.

Kur Kosova u bë e pavarur, dhe GJND-ja e njohu Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, si legale, Serbia me ndihmën e Rusisë dhe mbështetjen jo të pakët në Europë, arriti ta kthejë çështjen e Kosovës në bisedime, nëpërmjet miratimit të një rezolute të Asamblesë së OKB-së, për bisedime të reja, ‘për çështje vitale për serbët e Kosovës’!

Dhe më pas ishte kryeministri i Serbisë, aso kohe, Ivica Daçiq, që e riaktualizoi idenë për ndarje të Kosovës.

Me shumë gjasë, ai do ta ketë shtruar këtë ide edhe në bisedimet me Hashim Thaçin, në bisedimet që vijuan pas miratimit të Rezolutës së Asamblesë së OKB-së.

Aso kohe, kjo nuk ishte temë aktuale. Dhe vetëm diku në vitin 2017 filloi të përfolen, dhe të zbuloheshin takime dhe përpjekje për të gjetur mbështetje ndërkombëtare, për realizimin e saj.

Hashim Thaçi do ta takonte (2018) me shumë gjasë lidhur me këtë ide edhe Putinin, udhëheqësin rus, për të cilin bota e kuptoi se ishte një diktator dhe autokrat, me pushtimin e Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar.

Ndërkohë, Edi Rama, e kishte miratuar këtë ide në takim me Vuçiqin në vitin 2016. Hashim Thaçi kur filloi të fliste publikisht për ta bindur opinionin, fillimisht tha se Leposaviçi dhe Leshaku, ishin dhurata të Rankoviçit, që duheshin kthyer Serbisë. Hashimi si historian, po gënjente shumë, sepse i tërë veriu, siç e përvijuam në fillim të tekstit, Serbia, ia kishte dalur me dhunë brutale e gjenocid, ta zbrazte nga shqiptarët një territor, sa tri Kosova diku, dhe ajo pjesë e veriut, vetëm për pak dekada kishte qenë e pushtuar nga Beogradi, sa e gjithë Kosova, sepse kur ajo pjesë nuk ishte pjesë territoriale e krahinës së Kosovës, ne nuk kishim autonomi, të gjithë ishim në Serbi, me dallime të vogla në të drejta (si Leposaviçi dhe gjithë shqiptarët në pjesët tjera).

Pas kritikave Thaçi kaloi në një opsion tjetër të shkëmbimit të territoreve dhe më pas u tërhoq edhe më në retorikë, duke thënë se kërkonte ‘korrigjim të kufijve’.

Sipas informacioneve të botuara aso kohe, bëhej fjalë për një shkëmbim territori, ku Kosova e jepte pjesën më të madhe të veriut, dhe e merrte Preshevën dhe disa fshatra, ndërsa status special do të kishte Mitrovica në veri, Ujmani, Trepça etj. Ngjashëm mendohej nga shqiptarët se do ta kishte edhe Bujanoci. Kosova do të humbiste rreth 5% territor, meqë është e vështirë të thuhet me saktësi sa, pasi kurrë nuk u publikua një hartë sipas propozimeve, dhe po ashtu humbte në cilësi.

E risolla në kujtesë, një seri ngjarjesh për ta theksuar se ideja për ndarjen e Kosovës buron nga serbët, dhe s’ka si të jetë ndryshe. Sepse në vitet e ’90-ta, duke e ditur se okupimi i Kosovës po përfundonte, inteligjenca serbe e kishte projektuar të përfitonin çfarë të mundnin nga humbja e Kosovës, duke propozuar ndarjen përgjysmë nga Dobrica Qosiqi, gjatë kohës së shtetit paralel të Kosovës, që të ndodhte kjo pa luftë. Edhe Millosheviçi se pranoi ndarjen në kuptimin e vendimeve të tij, pasi deshi ta merrte të tërën me gjenocid.

Bolton e vulos se ndarjen e pranonte edhe lidershipi i Kosovës

U akuzuan edhe amerikanët si John Bolton se po e projektonin ndarjen e Kosovës. Por, edhe ky dëshmoi, ashtu si thuhet sintagma e shkëputur nga fjalimi i famshëm i Skënderbetu në Krujë, “Lirinë e gjeta në mesin tuaj, atë nuk ua solla unë”, se ndarja ishte duke u diskutuar nga palët. Pra, Bolton, po e sqaron për ata që gënjenin e propagandonin rrejshëm aso kohe, se ‘Amerika po e kërkonte një gjë të atillë’.

“Shiko unë nuk e sugjerova vetë, ata po flisnin për atë, dhe u dëshmua politikisht e pamundur, fillimisht në Kosovë dhe më pas edhe në Serbi. Por, Tony Blair erdhi më takoi për këtë dhe më tha se aktualisht kemi liderë që mbase mund ta bëjnë që kjo të funksionojë. Por reagimi im ishte i njëjtë sikur i James Baker dikur, “ne nuk mund ta duam paqen më shumë se vetë palët”. Ne nuk imponojmë asnjë zgjidhje, por nëse funksionon duhet ta përkrahim”, ka thënë Bolton për Foreign Press Association, ditë më parë.

Sipas Boltonit, rezulton se Thaçi kishte rënë dakord, ashtu siç ne kishim arritur me kohë në atë përfundim.

“Shumë njerëz nuk e pëlqejnë idenë e shkëmbimit të territoreve se mund të destabilizojë pjesë të tjera të Ballkanit. Pika kryesore që duhet pasur parasysh është se shkëmbimi i territoreve që po flitej mes Serbisë dhe Kosovës u ra dakord paraprakisht. Sa gjatë që nuk imponohet me forcë, shkëmbimi me pajtim të dyanshëm mund të ndodhë gjatë gjithë kohës”, ka shtuar tutje John Bolton.

Kjo që thotë Bolton, veç tjerash, se ‘shkëmbimi me pajtim të dyanshëm mund të ndodhë’, duket se ende ka mbështetje diskrete në Kosovë nga disa palë në politikën shqiptare.

Pra, marrëzia e kësaj ideje është se shqiptarët deshën ta shisnin si ide të tyre, dhe herë tjetër si amerikane, ndërsa që ajo ishte puro serbe. Pse Serbia të mos lakmojë t’i merrë qoftë edhe 2% territor nga Kosova, derisa ka shqiptarë që lakmojnë t’ia japin edhe 10%!?

Prandaj, ideja e ndarjes së Kosovës duhet shpallur e vdekur, dhe madje e dënueshme me ligj të veçantë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat