E shpallën si vitin e tyre, pastaj i lanë vetë

Aktuale

E shpallën si vitin e tyre, pastaj i lanë vetë

Më: 2 janar 2023 Në ora: 07:02
Ilustrim

Viti 2022 ishte shpallur viti i personave me aftësi të kufizuar në Kosovë me qëllimin që të punohej më shumë në këtë drejtim, por nga institucionet pothuajse nuk ndryshoi asgjë.

Vetëm 99 persona punojnë në institucionet publike të Kosovës të cilët janë me aftësi të kufizuar – nga mbi 83 mijë sa është numri i përgjithshëm i të punësuarve në këtë sektor.

Ligji në Kosovë e obligon sektorin publik dhe atë privat që të punësojnë një person me aftësi kufizuar në çdo 50 punëtorë. I bie që institucionet publike do të duhej të kishin të punësuar mbi 1600 persona me nevoja të veçanta.

Ambasadorja e vullnetit të mirë, Elvana Shala, në një intervistë për Albanian Post, thotë se iniciativa ka qenë e duhur, por puna për materializimin e projekteve konkrete s’e takojë asnjëherë qëllimin e iniciativës.

Sipas saj, “pavarësisht se ky vit është shpallur nga Qeveria e Kosovës, aktivitetet më të mëdha dhe lëvizjet për të ndryshuar diçka janë bërë nga shoqëria civile”.

Shala pohon se nuk kanë pasur pritshmëri që të gjitha problemet të zgjidhen brenda këtij viti, por që diçka më shumë duhej të bëhej.

“Nuk përjashtohet fakti se problematikat e mëdha që hasin këta persona në jetën e tyre nuk mund të mënjanohen tërësisht për vetëm 1 vit por duhet angazhim i përditshëm i secilit nga ne. Mbase ky vit do të shërbejë si pikënisje për ndryshime rrënjësore institucionale për ofrimin e kushteve të duhura të një jete me dinjitet për këtë kategori dhe të drejta të barabarta”.

Disa aspekte mbeten të pandryshuara për këtë kategori pothuajse tash e dy dekada.

“Ndoshta në këtë pikë mund të them që dallimi më i madh i cili vërehet dukshëm është rritja e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit qytetar për pranim të kësaj kategorie në shoqëri të barabartë, nevoja për t’iu ndihmuar dhe ofruar sado pak mbështetje morale për vështirësitë që i kanë. Në aspektin institucional, ligjor dhe infrastrukturor, nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm”.

Problem kyç mbeten ligjet për të cilat është domosdoshmëri që të ndryshohen.

“Në zbatimin e ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës për këtë kategori. Ligjet janë disa të drejta e disa që duhet patjetër të ndryshohen dhe plotësohen por që asnjëra nga to nuk e ka zbatimin e duhur në praktikë”.

2022 mund të mbetet viti i personave me aftësi të kufizuar vetëm për një ndyrshim të cilin e kanë bërë vetë kjo kategori.

“Ky vit defenitivisht ka qenë vit i personave me aftësi të kufizuara e para për vet-personat disa prej të cilëve kanë marrë forcën dhe guximin të ngrijnë zërin e tyre më shumë për të drejtat e tyre, shto këtu edhe organizatat që punojnë për këta persona”.

Shala, ka vetëm një kërkesë për institucionet e Kosovës.

“Mesazhi im për institucionet do të ishte: më pak fjalime të bukura për këtë kategori, më shumë përkushtim dhe punë praktike e mbi të gjitha qasje të dinjitetshme dhe trajtim të barabartë njerëzor”.

Menaxheri i Qendrës Down Syndrome Kosova në Mitrovicë, Xhenis Beqiri sqaron se një hap i rëndësishëm është marrë për punësimin e personave me sindrom Down, por numri i punësimit të tyre është akoma shumë i ulët.

“Hap të rëndësishëm cilësoj Pakon e Ringjalljes Ekonomike, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) e cila ka ofruar mbështetje për personat me aftësi të kufizuar për aftësimin profesional në formën e trajnimeve / punës prakike në biznese të ndryshme për tre deri në gjashtë muaj”.

“Kjo nismë ndër të parat e kësaj natyre, ka ndikuar që personat me aftësi të kufizuar të trajnohen për një vend pune dhe të punësohen, ngase numri i të punësuarve nga komuniteti i aftësisë të kufizuar vazhdon të mbetet shumë i ultë”, thotë Beqiri.

Sipas pikëpamjes së Beqirit, “është dashur ende më shumë të punohet në këtë drejtim ngase personat me aftësi të kufizuar meritojnë trajnim të barabartë shoqëror, vlerësim dhe krijim të kushteve për punësim”.

Në krahasim me këtë hap sfidat janë të shumta.

“Personat me aftësi të kufizuar ballafaqohen me shumë sfida në vendin tonë, së pari mungon qasja infrastrukturore e duhur, në rrugë, në kopshte, në shkolla, në spital etj”.

“Tutje mungon, mbështetja e duhur përmes shërbimeve terapeutike dhe psiko-sociale që ndihmojnë në pavarësimin e individit, mbështetja akademike përmes asistentëve në shkolla, pastaj dhe mbështetja psiko-sociale e prindërve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuar, që do ndikonin pozitivisht në mirëqenien e tyre”.

Si përfundim, Beqiri thekson se gjatë këtij viti ka pasur vetëm përpjekje.

“Në raport me vitet e tjera, në vitin 2022 janë bërë disa përpjekje për përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara, megjithatë duhet bërë më shumë nga institucionet publike për përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuar, ngase mirëqenia e personave me aftësi të kufizuara duhet të jetë në fokus si dhe ofrimi i shërbimeve cilësore”, deklaroi ai.

70 karroca janë dhuruar për personat me aftësi të kufizuar nga shteti i Izraelit më 11 gusht, donacion ky i cili jepet për herë të dytë për Kosovën.

Nga viti 2009 Kosova ka një ligj të veçantë që obligon çdo institucion publik dhe privat që në çdo 50 punëtorë të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuar.

Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara ka për qëllim të avancojë pozitën socio-materiale dhe integrimit në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas këtij ligji, punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet që dalin nga ligji, obligohet që për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguajë në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej 1 për qind të shumës së pagës minimale.

Kosova, kritika ka vazhdimisht edhe për ofrimin e dobët të shërbimeve për këtë kategori të qytetarëve si dhe për ofrimin e qasjes në arsim.

3 dhjetori, njihet si Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat