Në Serbi e kishin paralajmëruar javën e kaluar mbylljen e kufirit për mërgimtarët nga Kosova

Aktuale

Në Serbi e kishin paralajmëruar javën e kaluar mbylljen e kufirit për mërgimtarët nga Kosova

Më: 28 dhjetor 2022 Në ora: 09:27
Ilustrim

Pika kufitare në Merdarë është mbyllur mbrëmë duke lënë të bllokuar shumë mërgimtarë që ishin rrugës për në Kosovë.

Ministria e Jashtme tha se kjo pikë kufitare është mbyllur shkaku i vendosjes së barrikadës në territor të Serbisë, rreth dy kilometra larg kufirit.

Në këtë pjesë të territorit, për vendosje të barrikadës, e një shenjë proteste të vazhdueshme, janë mbledhur disa nacionalistë lokalë.

Për pengimin e qarkullimit, ata kanë vendosur në rrugë një kamion me rimorkio dhe traktorë.

Të tubuarit janë parë duke mbajtur flamuj të Serbisë derisa janë shprehur se e kanë ndërmend të mos lëvizin nga vendi deri në një njoftim të ardhshëm.

Mërgimtarët që u detyruan të ktheheshin nga pika kufitare në Merdarë, raportohet se janë sulmuar me shok-bomba nga persona që qëndruan në barrikada.

Bllokimi i mërgimtarëve dhe moslejimi i tyre për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare me Serbinë ishte ngritur si kërkesë në Kuvendin e Serbisë javën e kaluar.

Anëtari i të ashtuquajturit komision parlamentar “për Kosovën” në Parlamentin e Serbisë, Sllavisha Ristiq, ka propozuar që Serbia t’ua ndalojë shqiptarëve hyrjen dhe daljen nga Kosova brenda dhe jashtë Serbisë, duke bërë thirrje “për reciprocitet ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Pasi jemi afër vitit të ri, kur një numër i madh shqiptarësh vinë në Kosovë, pse Serbia nuk i ndalon”.

“Tani nëse [Albin] Kurti vazhdimisht ka bërë thirrje për reciprocitet para vendimeve të paarsyeshme, pse atëherë nuk duhet që shteti serb, sipas sistemit të njëjtë, të vendos reciprocitet për lëvizjen e shqitparëve në Serbi dhe hyrjen e tyre prej Serbisë në Kosovë”.

“Tani, pasi jemi afër vitit të ri, kur një numër i madh shqiptarësh vinë në Kosovë, pse Serbia nuk i ndalon. Nuk po avokojë për kufizim të lirisë së lëvizjes, por qasja fashiste e Kurtit duhet të merr përgjigjen e duhur”, kishte thënë Rastiq në Parlamentin e Serbisë.

Pas mbylljes së pikës kufitare në Merdarë, mërgimtarët po e shfrytëzojnë më së shumti atë tek Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat