Profesori amerikan: Shërbimi sekret serb është përgjegjës për situatën në veri

Aktuale

Profesori amerikan: Shërbimi sekret serb është përgjegjës për situatën në veri

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 08:17
Daniel Serwer

Janë bërë 18 ditë që kur janë ngritur barrikadat në veriun e Mitrovicës.

Banorët e pjesës veriore të vendit po përballen me frikë për shkak të disa grupeve kriminale që në raste të caktuara përdorin edhe mjete shpërthyese.

Forcat KFOR-it ende nuk kanë bërë ndonjë lëvizje për t’i larguar barrikadat nga rruga.

E profesori nga Johns Hopkins University, Daniel Serwer, thotë se KFOR-i që nga fillimi nuk është dashur t’i lejonte këto barrikada.

“Që nga fillimi forcat e KFOR-it nuk do duhej t’i lejonin barrikadat. Tani kemi një situatë tjetër dhe natyrisht që duhet vepruar me shumë kujdes”, tha Serwer

Serwer, përgjegjës për këto zhvillime ne veri të vendit e sheh presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, Vuçiq ka autorizuar shërbimet sekrete serbe për t’i bërë këto veprime destabilizuese në veri të vendit.

Ai shprehet shumë kritik edhe për qasjen e butë të Brukselit dhe Uashingtonit ndaj Serbisë.

“Ata janë agjentë të shërbimit sekret serb për të cilin ai është përgjegjës. Asgjë nga këto nuk do të ndodhte pa miratimin e Vuçiqit. Cicërimat e Bernabiq vetëm sa i konfirmojnë këto veprime. Nuk e kuptoj pse Perëndimi ka dështuar të reagojë siç duhet ndaj provokimeve të Vuçiqit, të cilat janë flagrante dhe të dukshme. Kam frikë se ka nga ata si në Uashington ashtu edhe në Bruksel që simpatizojnë përpjekjet e Beogradit për të vendosur qeverisje të veçantë për serbët në veri të Kosovës”, tha Serwer.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, me ç’rast të dy kërkuan largimin e menjëhershëm të barrikadave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat