Policia njofton për dy fëmijë të sulmuar në veri

Aktuale

Policia njofton për dy fëmijë të sulmuar në veri

Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 14:31
Policia

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy të mitur kanë raportuar se janë sulmuar nga disa qytetarë serbë në veri të Mitrovicës.

Sipas njoftimit, dy fëmijët kanë marrë trajtim mjekësor pas sulmit që ka ndodhur ndaj tyre.

“Lidhur me rastin është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë të mitur, kanë pranuar tretman mjekësor, pasi që sipas tyre janë sulmuar nga disa qytetarë të nacionalit serb. Njësitë policore janë duke kryer hetime lidhur me rastin”, ka njoftuar Policia.

Ndërkohë, një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla njoftoi se një 14-vjeçar ishte sulmuar nga bandat kriminale te Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës. Kishte thënë se policia po heton rastin.

Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës po ndodhin pasi Qeveria e Kosovës vendosi e më pas u tërhoq nga largimi i tabelave ilegale që përdoreshin atje prej pasluftës. Shkaku i këtij vendimi, prokurorë, gjyqtarë, policë e zyrtarë të administratës nga komuniteti serbë kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Pas kësaj, institucionet shtetërore kishin shpallur zgjedhjet në katër komunat veriore por më vonë u shty vendimi për zgjedhje shkaku i tensionimit të situatës së sigurisë atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat