LDK shkon në Kuvend për adresimin vjetor të Presidentes

Aktuale

LDK shkon në Kuvend për adresimin vjetor të Presidentes

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 10:01
Deputetët e kësaj partie janë parë në sallën e Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në adresimin vjetor të Presidentes Vjosa Osmani.

Deputetët e kësaj partie janë parë në sallën e Kuvendit, ku për pak minuta pritet të nisë adresimi i Osmanit.

Dy partitë e tjera opozitare, PDK e AAK’ja, kanë thënë se s’do të marrin pjesë në seancë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të jetë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të Presidentes Osmani, sepse, siç tha, konsideron se është tërësisht farsë dhe pa asnjë përmbajtje.

“Është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes. Gjuha jounifikuese, tejet polarizuese dhe përçarëse e presidentes Osmani, apo heshtja kur e ka obligim të jetë në shërbim të çdo qytetari nga frika se mos nuk është në pajtim me partnerin e saj politik, janë shembuj tipikë të një personi që nuk është kredibil ta ushtrojë detyrën shtetërore që aktualisht e gëzon”.

PDK tha se për këto deklarata të tyre kanë shembuj të shumtë, “përfshirë edhe ato të ndërhyrjeve në punësime të familjarëve, shkarkimeve politike dhe mosmbështetjes së punonjësve në sektorin e arsimit, atë të shëndetësisë dhe shërbyesve civilë”.

Grupi Parlamentar i PDK-së vlerëson se” po të mos ishte prirja joparimore e këtij pushteti për të prodhuar performanca të tilla neveritëse mbase këtë ngjarje ky pushtet ka qenë e udhës ta organizojë në zyrat e Vetëvendosjes përballë aktivistëve të kësaj partie, e jo para të deputetëve të Republikës”.

Edhe AAK’ja ka thënë se s’do të marrë pjesë, duke thënë se Osmani ka dështuar në përmbushjen e detyrave të saj unifikuese.

“Presidentja Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit. Në shumicën e rasteve është në shërbim të kryeministrit, në funksion të agjendës së tij. Andaj, Grupi Parlamentar i AAK-së refuzon të marrë pjesë në adresimin e Presidentes së Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga AAK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat