​Kurtit i kërkohet që vendimin për targa ta shtyjë vetëm nëse ka marrëveshje për afatizim të dialogut

Aktuale

​Kurtit i kërkohet që vendimin për targa ta shtyjë vetëm nëse ka marrëveshje për afatizim të dialogut

Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 14:31
Foto ilustrim

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po i kërkohet që vendimin për targat ilegale ta shtyjë vetëm nëse Serbia pajtohet për afatizimin e dialogut, në kuadër të planit franko-gjerman.

Njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, thonë për KosovaPress se pala serbe nuk është e përkushtuar për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, andaj Kosova po e përdorë çështjen e targave si levë për të detyruar Serbinë të pajtohet për afatizimin e dialogut, në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, në dy ditët e ardhshme, Serbia mund të pajtohet me propozimin e palës kosovare, që në kuadër të shtyrjes së afatit për targa, të angazhohet për arritjen e ujdisë me Kosovën, përveç se të ndalojë lëshimin e targave ilegale për serbët në Kosovë.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, thotë për KosovaPress se nuk është problematike shtyrja e zbatimit të vendimit për targa, nëse ka një pajtim për përcaktimin e agjendës së dialogut dhe përmbylljen e tij deri në mars të vitit 2023, ashtu siç është caktuar në planin franko-gjerman.

Bytyçi: Nuk është problematike shtyrja e zbatimit të vendimit për targa

“Nuk është problematike shtyrja e zbatimit të vendimit për targa, nëse ka marrëveshje për afatizim të dialogut, nëse përcaktohet agjenda e qartë e dialogut. Shtyrja e vendimit për targa nuk është problematike, problemi është tek përkushtimi i Serbisë. Për t’u shtyrë vendimi për targa, duhet të kemi një pajtim mes dy palëve se ka pranim të planit të BE-së dhe ka një agjendë të qartë të afatizuar të dialogut deri në mars”, thotë ai.

Edhe sipas njohësit të procesit të dialogut, Gazmir Raci, Serbia po e përdorë çështjen e targave vetëm për të mbuluar refuzimin e planit franko-gjerman.

Raci: Problematike për Serbinë është plani franko-gjerman

“Targat nuk ishin problematike dje. Problematike për Serbinë ishte plani franko-gjerman, si duket Serbia edhe për këtë propozim nuk është e gatshme, pasi ajo përderisa synon në territor ndaj Kosovës, nuk pajtohet me njërën prej pikave të atij plani, ku thuhet se do të respektohet integriteti territorial i secilës palë. Kjo për Serbinë është e rëndësishme dhe për këtë arsye ajo po përdorë targat si alibi për të shtyrë një proces edhe më gjatë”, thekson Raci.

Në anën tjetër, sipas Bytyçit, problemi më madhor aktual është që Serbia nuk ka përkushtim ndaj dialogut dhe planit të BE-së për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

Megjithatë, ai pret që në dy ditët e ardhshme, pas shtyrjes së vendimit për 48 orë, bashkësia ndërkombëtare të bindin Vuçiqin për t’u përkushtuar ndaj planit franko-gjerman.

Bytyçi: Problemi madhor është që Serbia nuk ka përkushtim ndaj dialogut dhe ndaj planit të BE-së

“Problemi madhor është që Serbia nuk ka përkushtim ndaj dialogut dhe ndaj planit të BE-së, sidomos për afatizimin e dialogut. Tash Kosova po e përdorë çështjen e targave si një levë për të detyruar Serbinë që të përkushtohet ndaj dialogut dhe planit të BE-së... Këto dy ditë janë një dështim i BE-së, pasi u shfaq nevoja që të intervenojë ShBA-ja për të bindur Vuçiqin të tregoj përkushtimin ndaj planit të BE-së. Kjo mund të shihet edhe si dështim i politikës së jashtme të BE-së. Tash sigurisht që do të ketë bashkërendim të përpjekjeve të ShBA-së dhe BE-së për të bindur Vuçiqin për të dëshmuar përkushtimin ndaj planit franko-gjerman dhe dialogut me afatizim”, deklaron ai.

Mendim të njëjtë ka edhe analisti Gazmir Raci.

Raci: Besoj se Serbia do të pajtohet tash që në draft konkluzionet e para që ka propozuar BE-ja

“Besoj se Serbia do të pajtohet tash që në draft konkluzionet e para që ka propozuar BE-ja të përfshihet edhe marrëveshja finale dhe afatizimi i saj. Përndryshe nuk ka kuptim të vazhdohet tutje”, shton ai.

Pas dështimit të arritjes së një marrëveshje dje në Bruksel, kryeministri Albin Kurti, deklaroi se propozimi i BE-së që Kosova mos të fillojë gjobat për targa është i papranueshëm nëse nuk ka një pajtim që me urgjencë të angazhohen për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Pas kthimit në Kosovë dhe kërkesës amerikane, kryeministri Kurti e ka shtyrë mbrëmë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat ilegale, i cili parasheh gjobë për qytetarët që nuk i kanë konvertuar targat në RKS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat