Reformat në administratën publike dhe depolitizimi, domosdoshmëri

Aktuale

Reformat në administratën publike dhe depolitizimi, domosdoshmëri

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 08:52
Foto ilustrim

Reformat në administratën publike dhe depolitizimi i saj, në vazhdimësi i kërkohen Kosovës. Kjo është shumë e nevojshme, thonë nga shoqëria civile. Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se reforma dhe depolitizimi veçse ka filluar dhe kjo qeveri do e depolitizojë dhe profesionalizojë administratën.

Faktori ndërkombëtar dhe shoqëria civile në vend, prej vitesh theksojnë nevojën që ka Kosova për reformimin dhe depolitizimin e administratës. Kjo përmendet edhe në Raportin e sivjetmë të progresit për Kosovën.  Që nga viti 2012, për herë të parë në këtë raport theksohet se nuk ka pasur ndërhyrje politike në emërime dhe administratë publike, thotë Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ajo, tutje tregon për Radio Kosovën për synimet për reforma në administratë.

 “Depolitizimi veçse ka filluar dhe kjo qeveri do e depolitizojë tërësisht administratën, të cilën synojmë të profesionalizojmë. Rekrutimet do të digjitalizohen tërësisht në mënyrë që të mos mund të ketë ndërhyrje politike. Do të përdoren algoritme për përzgjedhjen e pyetjeve dhe të anëtarëve të komisioneve, në mënyrë që të eliminohen tërësisht ndërhyrjet e çfarëdo natyre”, tha ajo.

Një reformim dhe depolitizim i mirëfilltë i administratës publike është mëse i nevojshëm, thotë Mexhide Demolli-Nimani, nga Lëvizja “Fol”.

“Definitive, është shumë e nevojshme që një herë e mirë të kemi një administratë të reformuar dhe jo politike. Nga ajo çka po shihet, e të shohim edhe me ligjet që do t’i përgatisin, nuk e di nëse do të arrijmë që të kemi një gjë të tillë, në rast se hyn në fuqi Ligji për zyrtarët publikë. Por, aktualisht, nga ajo që kemi parë, me konkurset që janë kryesisht të brendshme, është një lloj, ta quaj, riciklimi i stafit në administratë publike”, tha ajo.

Edhe juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se vendi ka nevojë për reformim dhe depolitizimi i administratës. Por, sipas tij, kjo duhet të bëhet në baza të mira ligjore.

“Fatkeqësisht, përkundër asaj se kjo Qeveri me plot gojë thotë se duan ta depolitizojnë administratën publike, me veprimet që janë duke i ndërmarrë, përmes ligjeve në të kundërtën, po shkojnë një hap tutje duke e politizuar ose duke shkatërruar atë që është ndërtuar me vite. Për shembull, kemi një ligj për pagat, apo edhe zyrtarët publikë, që kanë probleme bazike, në radhë të parë cenojnë Kushtetutën por edhe sigurinë juridike për zyrtarët publikë”, tha ai.

Njëjtë si Demolli-Ninami edhe Miftaraj thotë se reformimi i administratës publike mundëson shërbime më të mira për qytetarët.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat