Softa: Rënia e raketave në Poloni ka mundur të sillte edhe pasoja tjera

Aktuale

Softa: Rënia e raketave në Poloni ka mundur të sillte edhe pasoja tjera

Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 19:28
Fatjon Softa

Eksperti i sigurisë nga Shqipëria, Fatjon Softa foli për situatën e krijuar pas rënies në Poloni të dy raketave për të cilat u dyshua se u lëshuan nga Rusia, por që në analizat e para dolën të jenë të Ukrainës e që gabimisht përfunduan në shtetin polak.

Softa tha se  kjo situatë do të mund të sillte pasoja të tjera mirëpo sipas tij pas intervenimit të menjëhershëm të liderëve botëror për sqarimin e situatës u vërtetua se nuk ishte një sulm i qëllimshëm por  si pasojë e një incidenti.

“Kjo situatë e cila mund të sillte edhe pasoja të tjera por falë pjekurisë dhe maturisë të forcave të NATOS dhe të liderëve botërorë për sqarimin e rrethanave, për të sqaruar nëse ishte sulm i Rusisë, ishte sulm i provokuar apo ky qe ishte incident nga ajo që tashmë është zbardhur… Të dhënat vinin nga terreni që kjo është një incident ose një ardhje të këtyre raketave nga territori i Ukrainës dhe këta ishin për shkak të goditjes së tyre kundërajrore”, tha ai.

Tutje eksperti i sigurisë në emisionin “Ditari”, foli për nenin 2 dhe 5 të NATO-s sipas të cilit nëse sulmohet ndonjëra nga shtetet anëtare të saj atëherë i gjithë blloku reagon.

“Kur njëri nga vendet e NATO-s cenohet ushtarakisht apo sulmohet, pra unanimisht NATO duhet të veprojë si një strukturë e vetme dhe kjo ishte kryesja që solli mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë dhe kjo situatë ishte ajo që u sqarua që nuk ishte një sulm dhe nuk erdhi si rrjedhojë e një sulmi nga Rusia sepse do të kishim një situatë e cila duhet të kishte një veprim kolektiv, për ta..”, shtoi ai.

Teksa foli për situatën e krijuar pas sulmit me raketa në Ukrainë, Softa tha se Polonia, Shqipëria dhe shumë vende të tjera të cilat janë anëtare të NATO-s në rast të një situate që do të vërtetonte që ishte sulm, atëherë i gjithë blloku do të reagonte duke vepruar si një i vetëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat