​Regjistrimi i Popullsisë 2023, diskutohet për sfidat dhe reformat

Aktuale

​Regjistrimi i Popullsisë 2023, diskutohet për sfidat dhe reformat

Më: 11 nëntor 2022 Në ora: 19:01
Konferenca “Java e Regjistrimit të Popullsisë”

Konferenca “Java e Regjistrimit të Popullsisë”, ka përmbyllur sot aktivitet e saj, me debatin mbi rëndësinë e regjistrimit, metodologjinë e qasjet implementuese, modelet dhe praktikat më të mira shtetërore.

Konferenca Rekos, mblodhi për katër ditë me radhë në Prishtinë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale të Republikës së Kosovës, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe zyrave ndërkombëtare në Kosovë, institute e agjenci ekzekutive, përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesor e ekspertë të fushës së demografisë e gjeoinformacionit, botën akademike, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, grupeve të ndryshme kulturore, etnike, dhe fetare, hulumtues, publicistë e gazetarë.

Në panelet diskutuese të konferencës ishin edhe drejtorët gjeneral të agjencive shtetërorë të statistikave të vendeve të rajonit duke përfshirë këtu: Republikën e Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi, e Maqedoninë e Veriut, ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë për regjistrimin e popullsisë në vitin 2023.

Në përmbyllje të konferencës, drejtoresha gjenerale e Institutit të Statistikave të Republikë së Shqipërisë, Elsa Dhuli ndau praktikat më të mira shtetërore të Republikës së Shqipërisë në organizimin, përgatitjet dhe realizmin e regjistrimit të Popullsisë, (Censit 2023) në Shqipëri.

Sipas një komunikate të ASK-së, digjitalizimi i të gjitha aktiviteteve operacionale, dhe monitorimi digjital i cilësisë dhe punës në terren karakterizon reformat e bëra në procesin e regjistrimit.

Përvojat e Republikës së Malit të Zi në regjistrimin e popullsisë, i sollën përmes lidhjeve direkte përfaqësues të kabinetit të drejtorit gjeneral të Statistikave të Malit të Zi, Miroslav Pejoviq.

Bashkëpunimi rajonal i shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndihmon në përmirësimin dhe përmbushjen e reformave të sistemeve statistikore kombëtare në linjë me rekomandimet e OKB-së dhe Eurostat.

Hapjen e punimeve të konferencës Rekos, e bëri kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në vendin tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës shprehu përkrahjen e plotë për projektin e Regjistrimit të Popullsisë, dhe angazhimin maksimal për ofrimin e të gjitha resurseve teknologjike dhe humane për Agjencinë e Statistikave të Kosovës, në realizimin e këtij projekti.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës Besnik Bislmi, duke theksuar rolin e rëndësishëm të regjistrimit të popullsisë, tha se Qeveria do të përkrahë procesin e regjistrimit me mbi 12 milionë euro.

“Institucionet qeveritare do të angazhohen maksimalisht për një proces të regjistrimit demokratik dhe gjithëpërfshirës, ku do të trajtohen nevojat e të gjitha grupeve të popullsisë në Kosovë. Me qëllim të përmbushjes së kërkesave dhe standardeve kombëtare e ndërkombëtare, Sistemi Statistikor i Kosovës do të vazhdojë të zhvillohet, duke rritur produktivitetin dhe cilësinë e statistikave zyrtare në vend”, thuhet në komunikatë.

Udhëheqësi i Njësisë së Bashkëpunimit, Zyra e BE-së në Kosovë, Johannes Madsen tha se është i lumtur të shoh që Kosova po për përgatitet për regjistrimin e popullsisë në vitin 2023. Sistemi dhe të dhënat statistikore zyrtare dhe të besueshme janë çelësi për të pasur politika zhvillimore e prosperuese, si dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian në procese të rëndësishme. Njëherit theksoi se të gjithë duhet të mbështesin Agjencinë e Statistikave në implementimin e regjistrimit të popullsisë.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, theksoi gatishmërinë e Agjencive të Kombeve të Bashkuara për të përkrahur qeverinë e Kosovës në gjenerimin e të dhënave të kompletuara dhe cilësore, të cilat paraqesin nevojat e popullatës dhe ndihmojnë në hartimin e politikave që i përgjigjen zhvillimit njerëzor.

“Sigurimi i të dhënave cilësore dhe të besueshme ndihmon në matjen e përparimit të vendit në përmbushjen e Agjendës 2030 dhe Objektivave për zhvillim të qëndrueshëm. Regjistrimi i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare është ndër proceset më të rëndësishme për një shoqëri moderne. Është një nga pikat qendrore të punës së UNFPA-së në nivel global dhe është e ngulitur fort në agjendën e OKB-së për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG). UNFPA përgëzon Agjencinë e Statistikave të Kosovës dhe komunitetin e gjerë të akterëve të regjistrimit për fillimin e këtij procesi vendimtar. Në këtë frymë, UNFPA kishte kënaqësinë të mbështeste Agjencinë në organizimin e Javës së Regjistrimit të popullsisë, e cila ofroi një platformë për një konsultim të thellë dhe thelbësor ndërmjet një gamë të gjerë të akterëve dhe partnerëve. Një qasje e tillë e gjithëpërfshirjes dhe pluralizmit të perspektivave është çelësi për saktësinë, besueshmërinë dhe suksesin e Regjistrimit të popullsisë në Kosove 2023, thuhet në qëndrimin e udhëheqëses së zyrës së Fondit për Popullsi të Kombeve ë Bashkuara në Kosovë, Visare Mujko Nimani.

Në përmbyllje të konferencës, zv. kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit në konferencë. Dhe i siguri të gjithë se në regjistrimin e popullsisë në vitin 2023, ASK do të angazhohet maksimalisht për një proces kredibil dhe cilësor. Menaxheri i Regjistrimit të Popullsie, Avni Kastrati falënderoi partnerët dhe akerët kryesor në vend për angazhimin dhe përkushtimin e përbashkët për një regjistrimin kualitativ dhe gjithëpërfshirës.

Java e Regjistrimit të Popullsisë, si platformë unike e konsultimit, shërbeu për të njoftuar opinionin publik se me datë 1 Shtator 2023, do të nis Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Republikën e Kosovës. Procesi i mbledhjes së të dhënave në terren do të vazhdojë deri me datë 16 tetor 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat