Deputeti i VV-së: Takimi ndërmjet Kurtit dhe opozitës është dashur të mbahet para vendimit për targat

Aktuale

Deputeti i VV-së: Takimi ndërmjet Kurtit dhe opozitës është dashur të mbahet para vendimit për targat

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 17:40
Fatmir Humolli

Deputetët të Listës Serbe, dhe zyrtarë të tjerë ditën e shtunë vendosën të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Dorëheqjet sipas tyre kanë ardhur, si shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen për targat.

Pas dorëheqjeve të serbëve reagoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka kërkuar nga serbët në Kosovë që të mos bien pre e manipulimeve të pushtetarëve serbë dhe të mos braktisin institucionet e Kosovës

Për vendimet e Kurtit karshi situatës në vëri, është deklaruar deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli.

Ai tha se në këto rrethana duhet të përkrahet Qeveria.

Sipas tij, veprimet e Kurtit për targat janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Kryeministri Kurti me veprimet e fundit është duke vepruar si institucion, duhet të shihen rezultatet pozitive dhe negative por është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës gjithçka. Në këto rrethana duhet ta përkrahim Qeverinë pa diskutim”, theksoi Humolli.

Vendimi për targat, sipas deputetit të VV-së nuk duhet të shtyhet.

Humolli thotë se kryeministrit i takon të merret me këtë çështje.

“Vendimi për targat nuk duhet të shtyhet se njëherë na kanë thënë një muaj me e shty mbas 10 muajve na thonë sërish 10 vite me e shty, kryeministri është ta analizojë dhe të veprojë në këto vendime”, u shpreh ai.

Takimin i së martës që u mbajt mes opozitës dhe kryeministrit për situatën në veri, Humolli po e sheh si të vonshëm.

Ai deklaroi se para vendimit për targa është dashur të mbahet ky takim.

Tutje, deputeti i VV-së tha se ndryshe nga Serbia që po konsultohet me miqtë e vetë, Kosova nuk po vepron njëjtë.

“Takimi mes kryeministrit dhe opozitës është dashtë më u mbajtë para se me marr vendimin për targat, po në Kosovën tonë po bëhen të mençëm, të guximshëm, analistë krejt dhe në fund dëmin po e marrim të gjithë. Duhet të punohet bashkërisht që të jenë dëmet më minimale. Serbia po konsultohet me miqtë e vetë në tërë Botën kurse ne mes vete nuk po konsultohemi, kjo është dobësi e jona”, tha Humolli.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat