Prokuroria nis hetimet pas raportimit për dhunë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë

Aktuale

Prokuroria nis hetimet pas raportimit për dhunë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë

Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 17:31
Prokuroria

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për dyshimin se në Shtëpinë e të Moshuarve në kryeqytet po ushtrohet dhunë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, derisa ka thënë Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim grumbullimin e informatave.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë iu njofton se pas publikimit të hulumtimit në emisionin “Kiks Kosova”, mbi dyshimet për keqtrajtim të moshuarve brenda shtëpisë së të moshuarve në Prishtinë, nga monitorimi i mediave menjëherë Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave”, tha Ulaj.

Tutje ajo shtoi se të gjitha informatat janë duke u verifikuar e shqyrtuar nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë, ndërsa i bën thirrje qytetarëve që kanë informacione të bashkëpunojnë me organet kompetente.

“Po ashtu, iu njoftojmë se aktualisht çdo informatë lidhur me këtë çështje është duke u verifikuar e shqyrtuar nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim të plotë me Policinë, andaj inkurajojmë çdo qytetar i cili ka informacione lidhur me këtë çështje të bashkëpunoj me organet e hetuesisë, me qëllim të ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë çështje”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Mbrëmë, një banor i Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë, lutej që të largohej sa më shpejt nga aty dhe të lajmërohej policia, pasi siç tha ai njëra nga punonjëset po ushtron dhunë.

Ai gjithashtu u ankua edhe për ushqimin që u servohet aty, i cili, ndonëse nuk u pëlqen, thotë se janë të detyruar ta hanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat