Ministri Mehaj viziton nënën e dëshmorit që u sulmua nga infermierja në qendrën e të moshuarve “Orenda”

Aktuale

Ministri Mehaj viziton nënën e dëshmorit që u sulmua nga infermierja në qendrën e të moshuarve “Orenda”

Nga: A.M Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 19:46
Foto nga vizita

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka vizituar nënën e dëshmorti, Taulant Nura, Eminen e cila u sulmua nga një infermiere në qendrën e të moshuarve “Orenda”, në Pejë.

Mehaj tha se nënat e ushtarëve të UÇK-së, nënat tona janë më meritoret për lirinë e vendit.

“Ne nuk guxojmë t'ia lejojmë vetes e as pasardhëve tanë që t'i harrojmë ato, të harrojmë sakrificën dhe qëndresën e tyre, e aq më pak nuk guxojmë as të mendojmë të mos t'i respektojmë. Kjo nuk na falet, këtë nuk guxojmë ta falim.

Kujdesi i familjes nuk ka munguar asnjëherë për nënën Minire”, shkroi Mehaj në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Sonte ishim në Gjakovë, vizitë tek nëna Minire, e cila i dha kombit shqiptar djalin e saj, dëshmorin e lirisë, Taulant Nura.

Nënat e ushtarëve të UÇK-së, nënat tona janë më meritoret për lirinë e vendit. Janë ato që na edukuan, na rritën e gdhendën brenda nesh dashurinë për atdheun dhe kombin tonë. Ne ndjehemi borxhli ndaj shumë kujt, por borxhin më të madh ua kemi atyre.

Ne nuk guxojmë t'ia lejojmë vetes e as pasardhëve tanë që t'i harrojmë ato, të harrojmë sakrificën dhe qëndresën e tyre, e aq më pak nuk guxojmë as të mendojmë të mos t'i respektojmë. Kjo nuk na falet, këtë nuk guxojmë ta falim.

Kujdesi i familjes nuk ka munguar asnjëherë për nënën Minire.

Djali i saj, Taulanti iu bashkua UÇK-së qysh në moshën 17 vjeçare, ai nuk dallohej vetëm për nga mosha, por edhe për nga guximi i cili buronte thellë nga shpirti i tij. Dëshmi për këtë na ka mbetur edhe videoja e tij, kur pyetet se: A ke frikë?, e ai përgjigjet: Jo more çfarë frike...

Nëna Minire, ia fali djalin e saj atdheut i cili ra dëshmor, por fitoi zemrat e gjithë shqiptarëve, gjithashtu djemtë e ushtrisë sonë janë të gjithë si të ishin djemtë e saj, të gjithë ne do t'i gjendemi pranë sa herë që ka nevojë.

Dëshmorët tanë nuk do t'i harrojmë asnjëherë, rrugës së tyre do të ecim gjithmonë.

Lavdi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat