26 vilat në pronë të Institutit Bujqësor/ Kush janë pronarët, kush i lëshoi lejet?

Aktuale

26 vilat në pronë të Institutit Bujqësor/ Kush janë pronarët, kush i lëshoi lejet?

Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 08:36
26 vilat në pronë të Institutit Bujqësor

Ministri i bujqësisë, Faton Peci, para disa ditëve i ka bërë të ditura disa të gjeturat të cilat i ka konstatuar komisioni që është themeluar  nga kjo ministri pas vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm, rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Njëra nga të gjeturat e këtij komisioni është edhe ndërtimi i 26 vilave në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.

Lidhur me këto të gjetura, media ka dërguar pyetje në Ministrin e Bujqësisë, ku nga kjo ministri thonë se ende nuk dihet se kujt i përkasin vilat e ndërtuara.

“Gjatë kontrollit në terren të Komisionit për vlerësimin dhe identifikimin e pronave të IBK-së, në vilat e përmendura nga ana juaj, për 3 ditë me radhë komisioni nuk ka arrit të identifikojnë asnjë nga pronarët e këtyre vilave, pasi ato gjatë kësaj kohe kanë qenë të mbyllura”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Tutje nga kjo ministri, thonë se përgjegjëse për lejet e ndërtimit të vilave është Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Pejës.

“Sa i përket lejes për ndërtimin e 26 vilave të ndërtuara në fshatin Joshanicë – Stankaj komuna e Pejës në pronë të Institutit Bujqësor të Kosovës, ju njoftojmë se përgjegjëse për pajisjen me leje ndërtimore është Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Pejës”,  thonë nga Ministria.

26 vilat e ndërtuara në pronë të  Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj u ndërtuan jashtëligjshëm.

Nga Komuna e Pejës thonë se nuk kanë lëshuar leje ndërtimore për ndërtimin e vilave pasi që kjo pjesë është e mbrojtur nga MMPH-ja.

“Ndërtimi i 26 vilave në fshatin Joshanicë – Stankaj në pronë të Institutit Bujqësor, ju njoftojmë që Drejtoria për Urbanizëm nuk ka lëshuar leje ndërtimore pasi që ajo është zonë e mbrojtur nga MMPH-ja, ku edhe njihet si Park Nacional. Komuna e Pejës ende nuk ka të miratuar plan rregullues hapësinor për atë pjesë.  Përderisa ne nuk jemi përgjegjës dhe as nuk kemi kompetenca për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Nacional”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Tutje nga Komuna e Pejës thonë se kjo çështje është ngritur disa herë dhe kanë kërkuar nga Ministria miratimin e planit.

“Çështja është ngritur shumë herë nga Komuna e Pejës duke kërkuar nga MMPH-ja për miratimin e planit rregullativ”, bëjnë të ditur nga Komuna

Ndërsa të gjitha të gjeturat e komisionit iu kanë përcjellë organeve të drejtësisë.

Zëdhënësi për media i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi thotë se kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve.

“Kemi filluar ndërmarrjen e veprimeve, ku Prokuroria e Pejës ka autorizuar Policinë e Kosovës për të verifikuar pretendimet e paraqitura në opinionin publik për pronat në fjalë”, tha Nikçi.

Çështja e 26 vilave të  ndërtuara në pronë të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj së shpejti pritet që të diskutohet edhe në Kuvendin Komunal të Pejës.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje Berat Ganiqi.

“Deri më tani nuk është ngrit si çështje ka mbet me u ngrit në seancën e ardhshme. Ne e kemi proceduar si kërkesë mirëpo ka mbet me u trajtuar në seancën e ardhshme, nuk jemi në dijeni se kush janë personat që kanë ndërtuar vilat po ashtu nuk jemi informuar kurrë as nga asambleja e as nga kryetari për këtë çështje”, tha Ganiqi.

Ai tha se ndoshta është interes i kryetarit  për të mos reaguar pasi që mund të prek ndonjë interes të personave që janë afër tij.

“Nuk e di se çfarë persona fshihen prapa ndërtimi të tyre, ndoshta është interesi kryetari mos me reagu ndoshta preket ndonjë interes i personave që janë afër kryetari por nuk e di saktë se kush janë personat që i kanë bërë ato uzurpime dhe nuk i di rrethanat se këto ndërtime a janë bërë në kohën e kryetarit Gazmend Myhaxheri apo kanë ndodhur më herët”, deklaroi ai.

Lidhur me ndërtimin e 26 vilave në tokë të institutit bujqësor, FrontOnline, ka kontaktuar edhe shefat e asamblistëve të LDK-së, PDK-SË, dhe AAK-së në Komunën e Pejës.

Atdhe Berisha, nga LDK-ja, thotë se është pro mbajtjes së një seancës të Kuvendit Komunalë për këtë çështje.

“Unë skam qenë i informuar lidhur me këto ndërtime dhe jam i asaj se pse mos më u mbajt një seancë me të thënë drejtën nuk kamë qenë i informuar me këtë çështje, për reagime pyetni kryetarin”, tha ai.

Ndërsa, Rejan Arapi nga PDK-ja, thotë se të gjitha ndërtimet që janë bërë në këtë zonë janë pa leje.

“Nëse nuk gaboj këto vila janë të ndërtuara në pjesën e Rugovës, në këtë pjesë nuk ka planë hapësinor dhe në atë zonë gjithçka që është ndërtuar është e ndërtuar pa leje ndërtimore. Unë nuk e di se si do të veprohet, jam i informuar se harta zonale është në proces e sipër nuk e di saktë në cilën fazë nuk e di është dërguar në ministri po besoj se harta zonale ka me precizu këtë çështje se çfarë do të ndodhë, pasi që po flasim për një pronë që është pjesë e institutit dhe është më e rëndë se sa çfarë ka ndodhur në prona private që prapë po them të gjitha në atë pjesë janë ndërtime pa leje” u shpreh ai.

E shefi i asamblistëve të AAK-së, në këtë komunë, Drin Veseli tha se do të kërkojnë sqarime se si janë ndërtuar këto vila.

Nuk është diskutuar në seancë kjo çështje, mirëpo nuk do të thotë që në seancat e ardhshme nuk kemi me ngrit këtë çështje apo me  lyp sqarim për formën se si janë ndërtuar ato”, u shpreh ai.

MMPH-ja për 26 vilat në pronë të Institutit Bujqësor/ Nuk është kompetencë e jona

Media ka kontaktuar edhe me ministrinë e Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës por nga kjo ministri kanë thënë se nuk janë kompetente për këtë çështje.

“Ju njoftojmë se Inspektorati i MMPHI-së nuk ka kompetencë për të dhënë përgjigje në pyetjet e parashtruara për ndërtimet e kategorisë I-rë (në të cilën përfshihen villat) duke përfshirë edhe abuzimin dhe shkatërrimin e pronës publike. Inspektorati i MMPHI-së, bazuar në dispozitat e Ligjit për Ndërtim 04/L-110 është kompetent për realizimin e mbikëqyrjes inspektuese për ndërtimet e kategorisë III-të”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat