Urgjentisht Qeveria t’i dërgojë 300 policë shqiptarë dhe të tjerë në veri

Aktuale

Urgjentisht Qeveria t’i dërgojë 300 policë shqiptarë dhe të tjerë në veri

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 6 nëntor 2022 Në ora: 16:51

Çfarë po përpiqet të arrijë Serbia? Pas 23 vitesh në mënyrë masive serbët në veri vendosën t’i braktisin institucionet e Kosovës.

Së pari njëri prej tyre u tërhoq nga Qeveria e Republikës, të tjerët nga Kuvendi, më pas nga komunat, policia, gjyqësie e deri në institucionet tjera ku punonin e kishin përgjegjësi, dhe madje paga edhe pa punuar.

Kjo shpërfaq disa probleme. E para, siç e konstatojnë lehtësisht edhe të tjerë, në veri u tërhoqën ata që nuk na konsideronin shtet, dhe gjendeshin aty më shumë për të shantazhuar dhe thënë se ne mundemi kurdo t’ia minojmë institucionet, pra që të ndodhë ajo që po ngjet tash e 2-3 ditë.

Sjellje antishtetërore

Braktisja nga policia dhe gjyqësia, është një shenjë e gabuar, përveç se si një sjellje antiinstitucionale e antishtetërore. Pasi njerëzve nuk mund t’ju hiqet siguria, e drejta për të qenë të sigurt dhe për të pasur gjykim, veprim të drejtësisë, si çështje themelore së bashku me të drejtën për shëndet apo edhe arsim.

Ne jemi shtet dhe këtë nuk duhet ta lejojmë.

Sipas mediave në gjuhën serbe në veri, janë rreth 300 policë serbë që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, dhe se mund të konsiderohet nëse ajo pjesë ka mbetur pa policë, pra pa siguri të mjaftueshme.

Në këto rrethana ka skenarë që mund të zhvillohen shpejt.

Vendet vakante duhet të përplotësohen menjëherë, ashtu që të mos vërehet qartësisht mungesa e funksionimit të institucioneve. Në këto raste duhet të ndodhë zëvendësimi me njerëz të besueshëm, luajal të sistemit, pra të Republikës sonë. Dhe njëkohësisht këta zëvendësues duhet të mbështeten nga sjelljet e papritura e provokative të grupeve kriminale, të komanduara nga Serbia.

Pra, nuk duhet të ndodhë një zëvendësim sa për numra dhe për hir të numrave.

Po ashtu ndihmë mund të jap policia jonë e rregullt që ndodhet masivisht në gjithë territorin, dhe po ashtu policia e EULEX-it dhe KFOR-i.

Por, problem paraqet rasti me gjyqësorin, pasi gjykatësit nuk mund të emërohen në procedura të përshpejtuara, sikurse ta zëmë një konkurs për polic, por nuk është një situatë që nuk mund të zgjidhet pasi mund të plotësohet me gjykatës bosnjakë, por edhe serb nga gjykatat tjera.

Sfidë më vete paraqet lufta hibride, që serbët po e ushtrojnë në veri, ndaj të gjithë atyre që potencialisht janë kundërshtarë të tyre dhe mbështetës të shtetit të Kosovës.

Pra, ekziston rreziku apo dyshimi se serbët e organizuar rreth Listës serbe, mund të kanosin, sulmojnë e madje të vrasin ndonjë nga ata, që zë vendet e të dorëhequrve.

Dilema për Asociacionin?

Serbët tashmë përveç kushtëzimit për ta shtyrë vendimin për targat ilegale të Serbisë, po kërkojnë formimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive dhe antikushtetues.

Duket se bazuar në këto kërkesa të artikuluara sot, serbët nuk e kanë më atë agresivitetin me të cilin shquheshin. Trysnia diplomatike perëndimore për shkak të qëndrimeve proruse të Serbisë ka dhënë rezultat jo të pakët.

Në këtë kontekst duket se kërkesat maksimaliste serbe, kanë rënë. Kjo të krijon përshtypjen se Qeveria duhet të vazhdojë të insistojë që serbët mos të përfitojnë një asociacion me kompetenca ekzekutive.

Sjellja e tashme antiinstitucionale e antiKosovë e serbëve në veri dhe e Listës serbe, e legjitimon frikën e shqiptarëve, se po të kishin një organ me kompetenca ekzekutive ata do ta përshpejtonin atë drejt një statusi të plotë autonom.

Nëse hipotetikisht udhëtojmë në kohë, dhe ndodh një mosmarrëveshje, madje nga një provokim i sajuar, dhe serbët e organizuar në një asociacion me kompetenca ekzekutive rebelohen si tani, atëherë gjëja e parë që do të bënin është shpallja e autonomisë me premisa të ndarjes nga Kosova!

Pra, ky zhvillim duhet të konsiderohet edhe si një eksperiment (psikosocial).

Pyetja hipotetike e bërë nga Albin Kurti në Gjermani, se a është Serbia e gatshme të ketë bashkësi të komunave me shumicë hungareze, rumune, boshnjake apo shqiptare, është legjitime, por aktualisht ne jemi vënë në sprovë dhe ende si të thuhet nuk ka deklarime se çfarë qëndrimi do të marrin SHBA-ja dhe BE-ja, pas braktisjes së institucioneve të Republikës.

Sigurisht se nëse do të mund të pastroheshin institucionet e Kosovës në veri nga serb të zhytur në krim, si nga politika, siguria, e fushat tjera, dorëheqjet do të ishin akti më i shpejtë.

Paramendoni komunat në veri pa drejtues serbë, që udhëhiqen nga Serbia, po ashtu pa drejtues policie të atillë, gjykatës dhe të tjerë, do të ishim shumë afër, jo vetëm zgjidhjes së tensioneve në veri, por Serbia nuk do të kishte më mekanizma imponimi.

Pra, pastrimi i institucioneve nga krimi i organizuar, nga struktura të kontrolluara nga Serbia do të ishte zgjidhja e përkryer.

Serbët nuk mund ta cenojnë integritetin

Një mbështetje serioze në këto çaste i ka ardhur Kosovës nga Shqipëria, përkatësisht nga presidenti i saj Bajram Begaj, i cili në bisedë me presidenten Osmani ka theksuar se garantuese e integritetit territorial të Kosovës është NATO-ja.

“I shpreha shqetësimin presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke pasur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO”, ka shkruar Begaj.

Një ditë më parë, për paprekshmërinë, apo më saktë, është zotuar zëvendësi i NATO-s se çfarëdo përpjekje për të ta destabilizuar vendin, do ta ndalonte me ndërhyrje Aleanca-KFOR-i.

Për të hequr dilemat se çfarë mund të bëjnë serbët, ka folur edhe kryeministri Kurti, i cili i ka quajtur përpjekje të pasuksesshme të krimit të organizuar.

“Unë e di që një përpjekje e tillë do të jetë e pasuksesshme, shteti ynë është i fortë duke qenë demokratik, duke qenë i rreshtuar me SHBA, NATO dhe BE”, ka thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat