ASK: Çmimet e prodhimeve bujqësore rriten për 19.45%

Aktuale

ASK: Çmimet e prodhimeve bujqësore rriten për 19.45%

Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 07:31
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e tretë (TM3 2022) ( 2015 =100).

ASK-ja ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostat-it.

“Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen”, njofton ASK-ja.

ASK-ja ka njoftuar se prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. “Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”, njofton ASK-ja.

“Në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2022, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 28.47%, krahasuar me periudhën e njëjtë (TM3) të vitit 2021. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 14.22%.  Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 19.45%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit  2021”, njofton  ASK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat