Presidentja Osmani punon nga spitali, flet axha i saj që punon në klinikën ku u operua

Aktuale

Presidentja Osmani punon nga spitali, flet axha i saj që punon në klinikën ku u operua

Më: 4 nëntor 2022 Në ora: 20:39
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik, para dy ditësh. Këtë operacion, Osmani ka zgjedhur ta bëjë në një spital privat.

Eshref Osmani i cili njëkohësisht është edhe xhaxhai i Vjosa Osmanit ka treguar se kur pritet të lirohet shefja e shtetit nga spitali.

“Mirë është gjendja, nuk ka ndonjë problem. Është stabile. Hala nuk e kemi vendos nëse do të lirohet sot”, ka thënë Osmani.

Ndërkohë, profesionistë të fushës kanë thënë se pacientët me ndërhyrje të tilla nuk e kanë të caktuar se sa ditë të qëndrojnë në regjim shtrati.

Megjithatë kurdo që lirohet, nga Zyra e Presidentes treguan se Osmani do të vazhdojë rikuperimin në banesën e saj në kryeqytet.

“Presidentja pritet ta vazhdoj rikuperimin në banesën e saj në Prishtinë pasi mjekët të lirojnë atë nga kujdesi spitalor. Presidentja Osmani ka qenë në kontakt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit për sa i përket rendit dhe sigurisë në vend, si dhe me institucionet e tjera për temat dhe zhvillimet aktuale”, tha Blerim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.

Në ditën e parë që po trajtohej në spital presidentja detyrën ia kaloi kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës.

Megjithatë gjatë të enjtes presidentja ndonëse nga spitali, filloi t’i kryejë përgjegjësitë e saj.

Osmani emëroi 27 anëtarë të rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete.

Sipas Ligjit për Presidentin e Republikës të Kosovës, Osmani do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë ato.

Veç vendimit që mori, Osmani reagoi edhe për arritjen e tri marrëveshjeve në Berlin një ditë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat